mar82016
Mjekët e dy punësuar. FSDKSH: Në fund të javës mbyllet verifikimi. Emrat e mjekëve në drejtoritë përkatëse për masa
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor është duke ushtruar kontrolle në spitalet jopublike dhe publike që kanë kontratë me Fondin, për të verifikuar mjekët që janë të dy punësuar. Në fakt, ky ishte urdhër i ministrit të Shëndetësisë, i cili duhet të hynte në fuqi që në muajin janar. Sipas këtij urdhri, mjekët në fillim të vitit të ri, pra në muajin janar, duhet të zgjidhnin ose në publik ose në privat. Por burime nga FSDKSH thonë se janë ende duke bërë verifikime për të evidentuar mjekët që punojnë në spitale të dy sistemeve.
"Javën që vjen do të jetë gati lista me emrat e mjekëve të dy punësuar për të cilët më pas do të merren masa", shprehen burime të Doktor33.al.
Por burime të Fondit thonë se Fondi nuk ka tagër ligjor për ndërprerjen e kontratave të mjekëve të dy punësuar. Sipas tyre, listat me emrat e mjekëve të dy punësuar do t'u dërgohen drejtorive të spitaleve që kanë kontratë me fondin për t'ua ndërprerë ato kontratat.
Drejtoria e QSUT-së duket se do të ketë peshën më të madhe për zbatimin e këtij urdhri, pasi në këtë institucion pothuajse të gjithë mjekët janë të dy punësuar dhe askush prej tyre nuk ka preferuar të heqë dorë vullnetarisht nga puna në QSUT.
Përgatiti: Alma Demiraj