qer82016
Helmimi i 18 vetëve në ish-Bllok, ISHP: Ka mangësi në sistemin e kontrollit
Nga 18 personat e helmuar me salmonelë nga ushqimi i konsumuar në tri ditë të ndryshme në një lokal të zonës së ish-Bllokut, 10 prej tyre u shtruan në spitalin infektiv të QSUT-së për shkak të gjendjes së rëndë, ndërsa 8 të tjerë pasi morën trajtimin e nevojshëm, e kanë lënë spitalin. Instituti i Shëndetit Publik i njoftuar për ngajrjen ka bërë verifikimin e shkaqeve, por përpos kësaj drejtuesit e institutit pohojnë se ky nuk është rasti i vetëm nga helmimet dhe raste të tilla venë në dukje nevojën për të forcuar rolin e organeve përgjegjëse në zinxhirin e kontrollit të ushqimeve, i cili kështu siç është çalon.
Edhe kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, z. Eltar Deda, ka deklaruar për gazetën "Shqip", se Inspektorati kontrollon dokumentacionin që lidhet me higjienën, ndërsa kontrolli i ushqimit bëhet nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare.
"ISHSH, strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë janë të përjashtuara nga zinxhiri ushqimor. Të paktën në momentin kur certifikohet produkti për t'u tregtuar duhet të jetë AKU, ndërsa më pas duhet të jenë autoritetet e MSH-së, që është ASHSH-ja. Sepse ne kështu jemi të shkëputur nga zinxhiri dhe ndërhyjmë kur lind një emergjencë", është shprehur z.Deda.