mar102017
Sëmundjet e veshkave. Shefi i shërbimit të nefrologjisë Barbullushi: Nuk po ia dalim më t'i mjekojmë, duhen parandaluar
Sëmundjet e veshkave konsiderohen si vrasëse të heshtura dhe po ndikojnë në shkurtimin e jetëgjatësisë te shqiptarët.
Tetë në 100 persona vuajnë nga mosfunksionimi i veshkave, thonë mjekët dhe në pamundësi për t'i mjekuar për shkak të kostove të mëdha, ato tanimë duhen parandaluar. Shefi i shërbimit të nefrologjisë prof.Myftar Barbullushi thotë për Doktor33.al se shifrat na rendisin pak më poshtë se vendet e tjera të Evropës por gjithsesi janë shqetësuese.
"Sëmundjet e veshkave janë rritur në 82 për qind në 10-vjeçarin e fundit. Në Shqipëri kjo shifër ka shkuar në 7 deri në 8 për qind dhe është jashtëzakonisht shqetësuese. Ne shohim që nuk arrijmë dot të ndalojmë këtë trend të sëmundjeve kronike", thotë mjeku Myftar Barbullushi.
Funksioni kryesor i veshkës është eliminimi i toksinave nga gjaku dhe ujit të tepërt, si dhe kontrollojnë tensionin e gjakut. Por rritja e numrit të pacientëve me hipertension apo diabet ka rritur dhe numrin e njerëzve që kanë probleme të theksuara me mosfunksionimin e veshkave.
Më shqetësues është fakti se sipas mjekëve nefrologë, 2 në 100 të prekur nga sëmundjet e veshkave janë të moshës nga 14-16 vjeç.
"Fakti që është shtuar obeziteti, jeta sedentare, që është ulur pjesëmarrja në sport dhe aktivitete lëvizëse, por edhe që fëmijët rrinë me tableta apo para kompjuterit kanë bërë që të rriten shumë mbipesha dhe natyrisht, për pasojë edhe diabeti", thotë mjeku Barbullushi
Në ditën ndërkombëtare te veshkave, mjekë nefrologë janë mbledhur në një konferencë ku kanë diskutuar mbi metodat e reja të diagnositkimit dhe mjekimit të sëmundjeve te veshkave dhe dëmtimit të organeve të tjera prej mos funksionimit të tyre.
Alma Demiraj