mar242017
Tensioni i lartë. Prof Dr.Barbullushi: Mjekët duhet ta kërkojnë problemin tek veshkat
Rezulton të jetë i lartë numri i pacientëve që vuajnë nga tensioni i lartë për shkak të stilit të jetesë, ushqimeve të pakontrolluara, aktivitetit të ulët fizik e të tjera. Deri më tani një pacient me tension të lartë është orientuar tek kardiologu duke e lidhur këtë problem shëndetësor me organin më të rëndësishëm jetik siç dhe konsiderohet zemra. Por mjekët nefrologë thonë se ky orientim është i gabuar pasi çdo problem me tensionin e lartë duhet të orientohet tek nefrologu, pasi veshka është organi që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me shkakun e presionit të lartë të gjakut që më pas mund të shkaktojë probleme te zemrës. Në një trajnim me gazetarë që mbulojnë çështje të shëndetësisë në Shqipëri, Prof.Dr.Myftar Barbullushi shpjegoi dhe arsyet përse problemet e tensionit të lartë duhet të shihen si probleme të lidhura me funksionimin e mirë ose jo të veshkave."Nëse pacienti ka konstatuar tension të lartë, duhet më parë të paraqitet tek mjeku i familjes dhe ky i fundit duhet menjëherë të analizojë situatën e funksionimit të veshkave. Dhe jo të orientohet si ndodh rëndom drejt e tek kardiologu. Ndaj dhe këtë vit është futur në check-up analiza e gjakut në lidhje me azoteminë dhe kreatineminë me qëllim që të parandalohen sëmundjet e veshkave por dhe të hipertensionit", shprehet Prod.Dr.Barbullushi.
Por kardiologët në fakt nuk ndajnë të njëjtin mendim pasi sipas tyre pacientët në Shqipëri paraqiten në stade të avancuara të sëmundjes, atëherë kur tensioni i lartë mund të ketë dëmtuar arteriet apo muskujt e zemrës, ndaj dhe problemet e tensionit të lartë e adresojnë tek kardiologu.
Alma Demiraj