dhj52017
Ankth, depresion dhe çrregullimet e gjumit. Ja pasojat e agresionit ndaj mjekëve
Mjekët në Romë po bëhen gjithnjë e më shpesh objekt dhune dhe agresioni, duke zhvilluar më pas ankth dhe depresion. Fenomenin e ka denoncuar Urdhri i Mjekëve në kryeqytetin italian, i cili sapo ka prezantuar një studim të përpunuar nga Universiteti "La Sapienza" në Romë në një kampion prej rreth 1000 mjekësh, me një vjetërsi pune prej afro 23 vjetësh. 66% e të intervistuarve ka denoncuar se është sulmuar të paktën një herë gjatë eksperiencës së tij profesionale. Gratë janë më të sulmuara në krahasim me meshkujt për nga frekuenca, 71% e rasteve në krahasim me 63.2%. Janë ato më të ekspozuarat ndaj episodeve të dhunës kryesisht verbale dhe psikologjike, ndonëse nuk kanë munguar episodet e kërcënimeve (37% e rasteve), dhunës fizike (11%) dhe aktet e vandalizmit (6%).
Sipas studimit vëzhgimor të drejtuar nga Mattia Marte dhe profesor Giuseppe La Torre, profesor i asociuar pranë Universitetit "La Sapienza" në Romë, si pasojë e episodeve të dhunës, 15.6% e profesionistëve të shëndetit ka deklaruar se ka vuajtur nga depresioni, 40.81% nga ankthi dhe 21.36% nga çrregullimet e gjumit, vështirësitë në komunitet lidhur me shpenzimet shëndetësore, ditët e mungesave në punë dhe stresi psikologjik. Të gjitha këto sjellin një rënie të produktivitetit, një reduktim pasues të cilësisë së kurave dhe efikasitetit të sistemit shëndetësor.
"Problemi është më i madh nga sa mund të mendohet, - ndërhyn Giuseppe Lavra, president i Urdhrit të Mjekëve Romë, - siç tregon sondazhi, 80% e mjekëve që kanë pësuar agresione kanë edhe pasoja në nivel psikologjik. Për fat të keq profesioni i mjekut është i rrethuar nga frika e vërtetë. Po krijohet një rreth vicioz ku qytetarët shkarkojnë frustrimin dhe pakënaqësinë për disavantazhet që ata marrin nga shërbimet tona shëndetësore, duke u hedhur kundër profesionistëve dhe duke i fajësuar ata. Përveç kësaj duhet të shtojmë se mjetet e komunikimit nuk i ndihmojnë qytetarët që të luftojnë paragjykimet, duke i akuzuar mjekët ende para se të kenë verifikuar faktet. Kjo krijon një klimë frike dhe një mbingarkesë stresi për kolegët më të ekspozuar".
Lavia shton: "Në profesionin e mjekut kemi një incidencë të dyfishtë vetëvrasjesh në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë dhe një motiv duhet të jetë për këtë. Duhet të përpiqemi të gjithë që të tejkalojmë këtë situatë sepse është në interesin përgjithshëm, - shprehet. - Mjekët duhet të punojnë në një klimë të qetë. Urdhri shqetësohet për këtë gjendje, por shpesh përballemi me inercinë e institucioneve. Duhet të përpiqemi ta marrim në dorë situatën, mbi të gjitha në sektorët e emergjencës ose të mjekësisë klinike. Kësaj pastaj duhet t'i shtojmë qëndrimin e jurisprudencës që për vite ka gjykuar punën e mjekëve në raport me rezultatet dhe jo me mjetet e përdorura për të kuruar pacientët".
Për presidentin e Urdhrit të Mjekëve në Romë është i nevojshëm një "riorganizim i profesionit të mjekut. Mjekët duhet t'i rikthehen kodit të tyre deontologjik që gjatë viteve të fundit është lënë në hije, dhe të jenë në gjendje të ndjekin rregullat deontologjike para se t'i përgjigjen udhëzimeve të drejtorëve shëndetësore ose të atyre që kanë përgjegjësi organizative. Por përpjekjen për t'i ri-dhënë shpresë një profesioni që ka një implikim të fortë social duhet ta bëjmë të gjithë, pa asnjë përjashtim. Për këtë është e nevojshme që burimet të menaxhohen në mënyrë gjithnjë e më të përshtatshme dhe korrekte për të arritur atë mirëqenieje të njohur organizative për të cilën të gjithë flasim dhe që jemi ende larg".