jan92018
Urdhri i Infermierit: U hiqet licenca 3 kompanive që jepnin kredite
Marrja e krediteve nga infermierët, si kusht për të plotësuar 10 kredite në vit, pasi në rast të kundërt nuk u rinovohet licenca, nuk kryhet siç duhet, madje është kthyer thjesht në biznes. Në vend që të ndjekin aktivitete me tema shkencore për të marrë njohuri të reja apo për t'i rifreskuar ato që kanë, ka kompani të akredituara për këtë qëllim që ua japin certifikatën kundrejt pagesës, edhe pa qenë të pranishëm.
Presidenti i Urdhrit të Infermierit, z. Sabri Skënderi ka denoncuar këtë fenomen i cili ka devijuar qëllimin e edukimit në vazhdim.
"Njerëzit mendojnë se duhet thjesht ajo copë letër. Paguajnë paratë dhe kaq, nuk qëndrojnë të ndjekin aktivitetin", shprehet z. Skënderi.
Sipas zotit Skënderi, denoncimet e herëpashershme kanë bërë të mundur heqjen e licencës për tre kompani që sipas tij, e kishte shndërruar në biznes zhvillimin e këtyre aktiviteteve.
"Janë tre kompani që i denoncuam dhe bordi u ka hequr të drejtën e zhvillimit të aktiviteteve për edukimin në vazhdim, për të paktën një vit", sqaroi Skënderi, në cilësinë edhe të anëtarit të bordit të vlerësimit të këtyre kompanive.
Edukimi në vazhdim ka si qëllim përditësimin e njohurive nga profesionistët, si dhe rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimit prej tyre. Infermierët duhet të plotësojnë 40 kredite në 4 vjet, pasi në rast të kundërt, nuk u rinovohet licenca nga Urdhri i Infermierit.