shk62018
Ikin infermierët, mbeten bosh sallat e operacioneve
Kirurgët nëpër sallat e operacioneve janë në vështirësi, pasi po u ikin infermierët dhe anestezistët me eksperiencë. Infermierët që do të plotësojnë vendet bosh, jo vetëm që janë të rinj dhe nuk kanë eksperiencën e duhur, por tanimë punësohen vetëm nëpërmjet portalit Infermierë për Shqipërinë dhe, deri kur të përmbyllen procedurat e përzgjedhjes, nuk mund të punësohet askush.
Deri më tani, janë bërë 3443 aplikime për 420 vende pune për infermierë e fizioterapistë, por pas aplikimit, do të shqyrtohen dokumentacionet për të gjithë e më pas, ato do të shpallen publikisht në platformën Infermierë për Shqipërinë. Një komision i posaçëm do të bëjë vlerësimin e pikëve dhe vetëm pas këtij vlerësimi, do të përzgjidhen ata të cilët do të testohen.
Ende nuk dihet sa do të zgjasë ky proces, pasi nuk ka dalë ende data e testimit. Por, nëse do të punësohesh në institucionet shëndetësore publike, duhet të aplikosh vetëm në këtë platformë, pasi kjo është mundësia e vetme.
Burime të Doktor33.al thonë se aktualisht, janë punësuar infermierë provizorë për të plotësuar boshllëkun e krijuar nga ikjet masive të infermierëve, por edhe këta janë në pritje të testimit.
Alma Demiraj