shk272018
Urdhri i Infermierit: Të ndryshojë fondi i pyetjeve të provimit të shtetit për infermierët dhe fizioterapistët.
Në maj do t'i nënshtrohen provimit të shtetit pranë Qendrës Kombëtare të Provimeve rreth 2000 infermierë, fizioterapistë, logopedistë dhe imazheristë. Nëse e kalojnë me sukses këtë provim, ata fitojnë të drejtën të punësohen nëpër institucione shëndetësore publike dhe jo publike.
Por, presidenti i Urdhrit të Infermierit, zoti Sabri Skënderi, thotë se fondi i pyetjeve është krijuar para 5 vjetësh dhe disa prej tyre nuk kanë lidhje me këto profesione.
"Është një fond pyetjesh i cili i rrëzon pa të drejtë kandidatët, pasi janë pyetje shkencore që edhe një mjek nuk di t'u përgjigjet. Kandidatët duhet t'i mësojnë përmendësh", thekson zoti Skënderi.
I pyetur nga Doktor33, kreu i Urdhrit të Infermierit thotë se kjo çështje është ngritur edhe në Ministrinë e Arsimit dhe është pranuar si shqetësim, por ende nuk ka një vendimmarrje për t'i hequr ato pyetje dhe për t'i zëvendësuar me të tjera.
Burime nga Ministria e Arsimit thonë se nevojiten fonde për të ngritur grupin e punës që do të përpilojë pyetje të reja. Nga ana tjetër, nevoja për infermierë dhe profesionistë të tjerë në fushën e mjekësisë është rritur për shkak të ikjes së tyre drejt tregut gjerman të punës.
Alma Demiraj