pri172018
Herceptina shndërrohet në makth për pacientët e Onkologjikut
Pacientët që trajtohen me herceptinë në Shërbimin Onkologjik në QSUT janë në pritje të medikamentit dhe i kanë kaluar të gjitha afatet mjekësore për marrjen e tij. Seancat me herceptinë duhet të bëhen një herë në tre javë, por vonesat kanë zgjatur edhe dy muaj...
"Vetëm tre seanca kam bërë në kohë; të tjerat janë bërë të gjitha me vonesa. Kam bërë 13 seanca dhe kam për të bërë edhe 5 të tjera. Afati më ka kaluar. Nuk e di kur do të na njoftojnë", shprehet Merita nga Fushë-Arrëzi.
Një seancë me herceptinë kushton deri në 2000 euro dhe mjekët thonë se një grua që vuan nga kanceri i gjirit, duhet të bëjë 18 seanca. Për të zgjidhur çështjen e mungesës së herceptinës, është angazhuar vetë kryeministri i vendit, i cili tha se do të negociohej me kompaninë farmaceutike që të merret me çmim më të lirë, me qëllim që të sigurohet sasia e nevojshme për të gjitha gratë.
Burime të Doktor33 thonë se medikamenti ka mbërritur në Shqipëri dhe ndodhet në depo farmaceutike, por nuk tërhiqet nga QSUT-ja. Në Ministrinë e Shëndetësisë bëjnë të ditur se së shpejti, herceptina do të jetë në spital për pacientët, pasi duhen ndjekur disa procedura ligjore.
Ndërkohë, sipas mjekëve, ndërprerja e trajtimit shkakton dëme të konsiderueshme në shëndetin e pacientëve.
Alma Demiraj