pri202018
Anomalitë kardiake te të sapolindurit. Materniteti "Mbretëresha Geraldinë" shndërrohet në pikë referimi për qendrat e specializuara në Europë
Shqipëria nuk bën dallim nga vende të tjera të Europës, ku anomalitë kardiake te fëmijët e porsalindur janë shtuar shumë. Ndonëse në Shqipëri nuk ka një regjistër të fëmijëve të prekur nga këto anomali, përllogaritet që 8 në 1000 fëmijë, lindin me probleme në zemër. Shefja e Shërbimit të Pediatrisë në QSUT, Prof. Asc. Numila Kuneshka, njëkohësisht kardiopediatre, rendit një sërë faktorësh që shkaktojnë këto anomali te bebet.
"Anomalitë në zemër përbëjnë gati gjysmën e defekteve të lindura në të gjitha organet e njeriut. Ndonëse dekada më parë, bebet me këto anomali nuk arrinin të kalonin në moshën pediatrike, sot nëse diagnostikohen në kohë, jetojnë si gjithë të tjerët", shprehet Prof. Kuneshka.
Në Tiranë është mbajtur për herë të parë konferenca për ekokardiogafitë e fetusit, me qëllim rritjen e cilësisë së diagnostikimit të hershëm të këtyre anomalive në fetus. "Materniteti "Mbretëresha Geraldinë" është përfshirë në projektin ndërkombëtar "Heaven can wait", i cili do të mundësojë referimin e rasteve që diagnostikohen herët, për t'u trajtuar në qendrat e specializuara europiane", u shpreh drejtorja e këtij materniteti, Prof. Asc. Eliona Demaliaj.
Profesorë të njohur nga Italia dhe Franca, kanë përcjellë para obstetër-gjinekologëve, neonatëve, kardiopediatërve dhe kirurgëve, metodat bashkëkohore të trajtimit të anomalive kardiake. Mjekët rendisin si shkaqe të rritjes së numrit të këtyre anomalive, lindjen e nënave në moshë të madhe. Me një fond prej 4.5 milion eurosh të Bankës Botërore, të gjitha maternitetet e vendit po pajisen me aparatura diagnostikuese", tha zëvendës ministrja e Shëndetësisë Prof. Dr. Mira Rakacolli.
Alma Demiraj