News

maj152018

Cilët janë antibiotikët që po shtojnë rastet me gurë në veshka te fëmijët?

Pesë klasa antibiotikësh janë lidhur me një rritje të rrezikut për gurë në veshka dhe rreziku është më i theksuar sidomos me barnat sulfonamide të përdorura te fëmijët dhe adoleshentët.

"Rezultatet e studimit tonë sugjerojnë se ekspozimi ndaj disa antibiotikëve oralë është një faktor i ri rreziku për nefrolitiazën, një faktor që mund të ndryshohet në 30% të pacientëve që marrin receta ambulatore të panevojshme për antibiotikë", thotë Gregory Tasian (Spitali i Fëmijëve, Filadelfia), autori kryesor i studimit.

Përhapja e gurëve të veshkave është rritur me 70% gjatë 30 viteve të fundit, paralelisht me përdorimin gjithnjë e më të gjerë të antibiotikëve; më parë, gurët e veshkave ishin më të rralla te fëmijët. Për të vlerësuar efektin e mundshëm të antibiotikëve në shtimin e rrezikut për gurë në veshka, studiuesit analizuan të dhënat nga THIN (The Health Improvement Network), një regjistër që përmban informacion mbi 13,8 milionë pacientë të trajtuar në 641 klinikat e kujdesit shëndetësor parësor në Mbretërinë e Bashkuar.

Në studim u përfshinë 25,981 pacientë me gurë në veshka dhe 259,797 pjesëmarrës të paprekur nga patologjia, me një periudhë mesatare ndjekjeje prej 5.4 vjetësh. Rreth 35% e rasteve dhe e kontrolleve ishin gra dhe mosha mesatare në përllogaritjen e parë ishte 51.6 vjet. Indeksi i masës trupore në të dyja grupet ishte mbi 27 kg/m2. Recetat me antibiotikë ambulatorë ishin më të zakonshme për kollën dhe grykët, infeksionet e gjoksit, të aparatit të sipërm të frymëmarrjes dhe infeksionet e traktit urinar.

Duke kontrolluar 12 klasa antibiotikësh, studiuesit vunë re një lidhje midis rrezikut të nefrolitiazës dhe pesë prej këtyre klasave të marra nga 3 deri në 12 muaj para datës së llogaritjes së indeksit renal. Rreziku relativ më i madh varionte nga 27% për penicilinat me spektër të gjerë, deri në 133% për sulfonamidet. Rreziqet më të larta ishin të lidhura me përdorimin e antibiotikëve në moshat më të reja dhe tre ose gjashtë muaj para datës së matjes së indeksit.

Rreziku i gurëve të veshkave për të gjitha klasat e antibiotikëve, me përjashtim të penicilinës me spektër të gjerë, mbeti statistikisht i rëndësishëm për tre deri në pesë vjet pas ekspozimit, edhe pse rreziqet kanë qenë në rënie me kalimin e kohës. Autorët dyshojnë se reduktimet e shkaktuara nga antibiotikët në mikrobiomën e zorrëve mund të jenë përgjegjëse për këtë efekt.

 

J Am Soc Nephrol. 2018. doi: 10.1681/ASN.2017111213
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29748329


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>