maj222018
Shumë pranë, kurës së re për të ftohtin. Krijohet molekula që është në gjendje të luftojë virusin
Sipas asaj që referohet në "Nature Chemistry", studiuesit e Kolegjit Imperial në Londër kanë krijuar në laborator një molekulë të quajtur IMP-1088, që duket se është në gjendje të luftojë virusin e zakonshëm të të ftohtit. Testet e para in vitro në qelizat e njeriut kanë treguar aftësinë e kësaj molekule për të bllokuar plotësisht cepet e shumta të virusit, që shkaktojnë sëmundjen dhe hulumtuesit shpresojnë të kalojnë tani tek eksperimentet mbi kafshët dhe pastaj te njerëzit.
Ftohja e zakonshme shkaktohet nga një familje e viruseve me qindra variante, të cilat zhvillohen shpejt dhe është thuajse e pamundur të imunizohesh apo të vaksinohesh kundër një shumëllojshmërie të tillë. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e trajtimeve kundër të ftohtit bazohet në trajtimin e simptomave të infeksionit. Molekula e re nuk synon të luftojë drejtpërdrejt virusin. Shënjestra e saj është N-myristoyltransferase (NMT), një proteinë që gjendet te qelizat e njeriut.
Virusi e "rrëmben" NMT-në nga qelizat e njeriut për të ndërtuar kapsidën e vet, që mbron gjenomin. Të gjitha llojet e virusit kanë nevojë për këtë proteinë njerëzore për të krijuar kopje të reja të vetes, kështu që molekula duhet të ketë efekt ndaj të gjitha atyre. Përveç kësaj, molekula gjithashtu punon kundër viruseve që i bashkëngjiten virusit të të ftohtit, të tilla si virusi i poliomielitit dhe i aftës epizotike.
"Ftohja e zakonshme është një gjendje e thjeshtë për shumicën prej nesh, por ajo mund të shkaktojë komplikacione serioze për njerëzit me patologji të tilla si astma dhe bronkopneumonia obskruktive kronike. Një bar i tillë mund të jetë jashtëzakonisht i dobishëm nëse merret në fazat e hershme të infeksionit dhe ne po punojmë për të krijuar një version që mund të merret me inhalim, në mënyrë që të arrijë shpejt në mushkëri", shpjegon Edward Tate nga Kolegji Imperial, autor i studimit.
Fakti që molekula synon një proteinë njerëzore dhe jo vetë virusin, e bën tepër të pamundur shfaqjen e viruseve rezistente dhe studiuesit kanë treguar se in vitro, nuk ka ndonjë lloj tjetër ndikimi nga ana e kësaj molekule, mbi qelizat njerëzore. Megjithatë, do të nevojiten studime të mëtejshme për t'u siguruar që nuk ka efekte anësore toksike kur injektohet në trup.
Nature Chemistry 2018. doi: 10.1038/s41557-018-0039-2
https://www.nature.com/articles/s41557-018-0039-2