nën202018
Mbyllet afati i aplikimit të kandidatëve për shefa shërbimi në QSUT
Kandidatët që duan të drejtojnë shërbimet në spitalet terciare, kishin afat t'i dorëzonin dosjet me dokumentacionet e tyre deri ditën e hënë, me datë 19 nëntor 2018. Bashkë me cv-të e tyre, ata duhet të paraqisnin një projekt të vizionit që kanë për drejtimin e shërbimit ku edhe kanë aplikuar.
Pasi është bërë verifikimi i dosjeve, komisioni i vlerësimit i cili përbëhet nga dekani i Fakultetit të Mjekësisë, drejtori i Qendrës Spitalore Universitare, shefja e kabinetit të Ministrisë së Shëndetësisë, drejtori juridik i Ministrisë së Arsimit, kanë nisur punën për vlerësimin e dosjeve. Por, ndërkohë, ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë ende publikë emrat e kandidatëve që janë përfshirë në këtë garë të rëndësishme të sistemit shëndetësor.
Burime të Doktor33.al bëjnë me dije se ky proces pritet të zgjatet dhe mospublikimi i emrave të kandidatëve bëhet në mënyrë të qëllimshme. Pas përfundimit të vlerësimit të dosjeve, më pas kandidatët do të merren në intervistë.
Komisioni i ngritur do të vlerësojë projektin, ndërkohë që angazhimet e prezantuara nga kandidati aplikues do të bëhen pjesë e kontratës që kandidati lidh me drejtuesit e spitalit universitar, nëse ai shpallet fitues. Ky komision do të bëjë renditjen e kandidaturave që aplikojnë, ndërsa emërimi i kandidatit fitues do të bëhet nga dy ministritë e linjës, ajo e Shëndetësisë dhe e Arsimit.
Nëse kandidati fitues do të jetë nga jashtë strukturave të arsimit të lartë, ai fiton automatikisht pozicionin e pedagogut me kohë të plotë, me kontratë me kohë të pacaktuar pranë institucionit të arsimit të lartë përkatës. Drejtuesi i shërbimit ka një mandat 4-vjeçar.
Alma Demiraj