dhj192018
Një qytetar shqiptar paguan nga xhepi 57 % të shpenzimeve shëndetësore
Shqiptarët paguajnë më shumë nga xhepi i tyre për shëndetësinë. Shëndetësia është një barrë e madhe për familjet shqiptare, pasi për shkak të buxhetit të vogël publik, ato detyrohen të paguajnë pjesën më të madhe të shpenzimeve për kurimin e problemeve shëndetësore. Të dhënat më të fundit zyrtare nga Banka Botërore, tregojnë se rreth 57 për qind e shpenzimeve shëndetësore në Shqipëri paguhen drejtpërdrejt nga xhepi i familjeve, ndërsa buxheti i shtetit mbulon vetëm 43 për qind. Kjo e rendit vendin tonë ndër vendet me pagesat më të larta nga buxheti familjar për të marrë shërbim shëndetësor në të gjithë Ballkanin.
Në Serbi, pesha e shpenzimeve që bëjnë familjet nga xhepi i tyre për kurim është 40 për qind, ndërsa në Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi, shifra është më e ulët sesa 35 për qind. Buxheti që jep qeveria shqiptare për shëndetësinë është mesatarisht 45 miliardë lekë në vit për sistemin shëndetësor, ose 2.9 për qind e prodhimit kombëtar. Kjo bën familjet të financojnë nga xhepi i tyre plot 60 miliardë lekë të tjera, ose rreth 480 milionë euro në vit. Këtu përfshihen të gjitha shpenzimet shëndetësore, përfshirë ndërhyrjet e kushtueshme, vizitat, apo edhe blerjen e barnave.
Inovacionet në shëndetësi, por edhe shtimi i sëmundshmërisë bën që shpenzimet totale të popullsisë për kurim të vijnë në rritje, nga viti në vit. Viti 2015 ishte viti i parë kur hynë në fuqi koncesionet për disa shërbime shëndetësore, të cilat edhe pse kryhen nga kompani private, paguhen nga buxheti i shtetit. Por, ofrimi i këtyre shërbimeve përmes koncesioneve nuk e ka ulur barrën e shpenzimeve që familjet bëjnë për kurim. Sipas Bankës Botërore, krahasuar me vitin 2014, pesha e shpenzimeve nga xhepi për kurim u rrit me 1 për qind, duke shkuar nga 56 për qind që ishte në 57 për qind.
Alma Demiraj