shk142019
Sulme ndaj mjekëve, edhe në Itali. CGIL: të detyrohen ndërmarrjet për programe të parandalimit të dhunës
"Fenomeni i sulmeve ndaj personelit shëndetësor është në rritje të vazhdueshme dhe po merr përmasa shqetësuese që përfshijnë jo vetëm personat e goditur, por të gjithë sistemin. Ky problem duhet përballuar duke marrë masa për ta parandaluar sa të jetë e mundur dhe për të garantuar sigurinë në punë".
Këtë e ka konfirmuar CGIL (Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës) gjatë audicionit informal pranë Komisionit të Higjienës dhe Shëndetësisë së Senatit, gjatë formulimit të ligjit në lidhje me çështjen e sigurisë për ushtruesit e profesioneve shëndetësore. Para së gjithash, ka vëzhguar CGIL pasi ka sjellë rezultatet e një shqyrtimi të Universitetit Bocconi, që zbulon një shtim të madh të fenomenit, "duhet të vendosim detyrime për ndërmarrjet, që të formulojnë programe të parandalimit të dhunës. Është po ashtu e dëshirueshme ngritja e komisioneve të partneritetit midis sindikatave dhe kompanive, me detyrën e zbatimit të veprimeve dhe masave të nevojshme për një program kundër dhunës".
Këto komisione, kanë shtuar sindikatat, "përveç parandalimit, duhet të parashikojnë përgatitjen e një ekipi të përbërë nga një personel i përkushtuar, i trajnuar për të trajtuar situatat kritike dhe ndërmjetësimin e konfliktit, për të përhapur politikën e tolerancës zero ndaj akteve të dhunës; të inkurajohet stafi që të raportojë menjëherë incidentet e pësuara dhe të sugjerojë masa për zvogëlimin ose eliminimin e rreziqeve, edhe në saje të trajnimeve specifike; të lehtësojë bashkërendimin me autoritetet e sigurisë publike për të siguruar mbështetje të vlefshme për identifikimin e strategjive që do të eliminojnë ose zbutin dhunën në shërbimet shëndetësore; të caktojë përgjegjësinë për kryerjen e programit nga subjekte apo grupe pune të trajnuara dhe të kualifikuara dhe me disponueshmërinë e burimeve të përshtatshme; të vlerësojnë nevojën për të instaluar dhe mbajtur rregullisht në funksion sisteme alarmi ose pajisje të tjera sigurie në vendet ku rreziku është i lartë".