mar252019
Streptokoku B. Infeksionet janë në rritje, për shkak të disa patologjive
Incidenca e infeksioneve invazive nga streptokoku i grupit B është rritur në mënyrë të konsiderueshme ndërmjet adultëve që nuk janë shtatzënë në Shtetet e Bashkuara, sipas rezultateve të një studimi të publikuar në "JAMA Internal Medicine".
"Shumë patologji kronike, mes të cilave obeziteti, diabeti, insuficienca kardiake dhe sëmundjet e lëkurës, mund të kontribuojnë në këtë rritje", shpjegon Louise Francois Watkins (Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Atlanta, SHBA), autore kryesore e studimit. Kërkuesit kanë identifikuar 21.250 pacientë jo shtatzënë që kanë paraqitur infeksion nga viti 2008 deri në vitin 2016, nëpërmjet rrjetit të mbikëqyrjes Active Bacterial Core. Kështu, ata kanë vlerësuar tendencën e përgjithshme të infeksioneve nga streptokoku i grupit B dhe karakteristikat demografike e klinike të llojeve të tjera të lidhura me paraqitjen e të njëjtave infeksione. Në vitin 2016, janë sinjalizuar 3.146 raste infeksionesh nga streptokoku B, me një rritje të incidencës nga 8,1, deri në 10,9 raste për 100.000 banorë.
Në 2016-tën, serotipet Ia, Ib, II, III dhe V kanë përfaqësuar 86,4% të të izoluarve dhe serotipi IV është rritur nga 4,7% në 2008-tën, në 11,3%. Paralelisht, përqindja e pacientëve me infeksione të lëkurës dhe të indeve të buta është shtuar nga 27,1% në 2008-tën, deri në 34% në vitin 2016. Kërkuesit kanë zbuluar edhe që incidenca e infeksioneve nga streptokoku B ka qenë më e lartë te burrat, në krahasim me gratë dhe më e lartë te njerëzit me ngjyrë, në krahasim me ata pa ngjyrë, si edhe ka treguar dallime edhe në baza moshore. Në bazë të këtyre rezultateve, në vitin 2016 janë vlerësuar 27.729 raste me sëmundje invazive në popullsinë amerikane në përgjithësi, me 1.541 të vdekur. Në mënyrë të përgjithshme, 95% e rasteve që lidhen me vitin 2016 janë verifikuar te personat me të paktën një patologji bazë, ndërmjet të cilave obeziteti (53,8%), diabeti (53,4%), insuficienca kardiake (18,1%) dhe sëmundja kronike e lëkurës (17,3%). Të dhënat kanë treguar edhe që rezistenca ndaj klindamicinës është rritur nga 37% te të izoluarit në vitin 2011, deri në 43,2% në 2016-tën.
Në një artikull shoqërues, Miriam Baron Barshak, nga Shkolla Mjekësore e Harvardit, në Boston, thekson rëndësinë e faktit që adultët që nuk janë shtatzënë dhe kanë infeksione nga streptokoku B, nuk kanë deficiencë imunitare specifike, por patologji bazë që mund të zvogëlojnë fluksin e gjakut dhe të dobësojnë mbrojtjen e barrierës së pjesëve të kolonizuara dhe të lejojnë futjen e streptokokëve në indet më të thella.
JAMA Int Med 2019. doi: 10.1001/jamainternmed.2018.7269
https://jamanetwork.com/journals/jamainternalmedicine/article-abstract/2724392
JAMA Int Med 2019. doi: 10.1001/jamainternmed.2018.7296
https://jamanetwork.com/journals/jamainternalmedicine/article-abstract/2724387