maj142019
Shëndetësia. Audit klinik për çdo shërbim ndaj pacientit
Çdo diagnozë e pacientit, apo edhe të gjitha medikamentet që përdoren për trajtimin e tij, tanimë do të kontrollohen nga një audit i posaçëm. Vetëm para pak ditësh u miratua në parlament ligji për kujdesin shëndetësor, i cili për herë të parë parashikon ngritjen e një grupi profesionistësh të cilët do të kontrollojnë të gjithë rrugëtimin mjekësor të pacientit.
"Auditi klinik do të jetë një grup profesionistësh në shëndetësi të cilët do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme që nga shërbimi parësor e deri në shërbimin terciar, qoftë publik dhe jo publik. Kjo nismë synon rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientit", u shpreh për Doktor33, drejtorja e politikave në Ministrinë e Shëndetësisë.
Janë të shumta rastet kur spitalet jo publike, pasi i kanë trajtuar pacientët në ambientet e tyre, kur atyre u përkeqësohet gjendja shëndetësore, e dërgojnë në QSUT. Ky grup profesionistësh nga shëndetësia do të kontrollojë që nga shërbimi që merr pacienti te mjeku i familjes, mënyra e referimit të tij te specialisti e deri në shërbimin terciar. Pritet që ligji për Kujdesin Shëndetësor të plotësohet me akte nënligjore ku do të parashikohen edhe penalitetet përkatëse për çdo diagnozë të gabuar apo për çdo mjekim të panevojshëm jashtë protokollit mjekësor.
Alma Demiraj