qer122020
Kthimi i shërbimeve të QSUT-së në vatër të Covid-19. Prof. dr. Arjan Harxhi: Nuk duhej të ndodhte në këtë fazë
Mosrespektimi i masave ka shkaktuar rritje të numrit të personave të infektuar me Covid-19 në vendin tonë. Arritëm të ruanim një numër të ulët rastesh të prekura nga virusi për shkak të karantinës, por ndërkohë, virusi nuk është zhdukur dhe duhet të vazhdojmë të ruhemi, tha për Doktor33 mjeku i njohur infeksionist, prof. dr. Arjan Harxhi.
Ndërkohë, përveç rritjes së numrit të të infektuarve, është shndërruar në vatër infeksioni qendra më e madhe spitalore në vend. Pothuajse të gjitha shërbimet në QSUT janë prekur nga virusi, duke bërë që të infektohet si personeli mjekësor, ashtu edhe pacientë që vijnë nga qytete të ndryshme për të marrë shërbim mjekësor.
"Kjo nuk duhej të ndodhte. Të paktën në këtë fazë që jemi, jo. Mund të tolerohej në fillim të epidemisë, kur të gjithë ishin të papërgatitur, por jo tani që kanë kaluar tre muaj. Duket se diçka ka çaluar. Nuk dua të fajësoj askënd, por duhet marrë seriozisht. Virusi është këtu, nuk është zhdukur. Deri kur të kemi mjete të tjera parandaluese duhet të respektojmë çfarë është thënë deri më tani", shprehet prof. dr. Harxhi.
Ndërsa lidhur me rënien e agresivitetit të virusit, dr. Harxhi nuk mendon se është zbutur për sa kohë, në shërbimin infektiv ka pacientë që shfaqin klinikë të lehtë deri tek ajo më e rënda.
Alma Demiraj