News

qer142019

QSUT: Analiza vetëm për pacientët e shtruar

Pas dhënies me koncesion të laboratorit në QSUT, janë ndaluar tanimë analizat specifike që bëheshin më parë si shërbim ambulator. Asnjë qytetar nuk mund të shkojë në QSUT i referuar nga mjeku i familjes apo mjeku specialist për të bërë analizën e markuesit tumoral, hemoglobinën e glukozuar në gjak apo të tjera analiza, nëse nuk është pacient i shtruar në shërbimet e QSUT-së.

Ky është një urdhër i brendshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili i kërkon drejtorisë së QSUT-së, të mos pranojë asnjë pacient që vjen i referuar nga mjeku i familjes apo mjekë të poliklinikave të specialiteteve. Kjo, pasi falë një donacioni të bashkëpunimit italian, Ministria e Shëndetësisë i ka pajisur poliklinikat e specialiteteve me aparatura për kryerjen e këtyre analizave. Këtë e konfirmon edhe mjekja laboratorit në poliklinikën numër tre.

"Në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3, është futur një gamë e re analizash, të cilat nuk bëheshin më parë. Pacientët e rajonit tonë mbanin radhë të gjata për të bërë analizat në QSUT, kurse tani i kanë afër. Edhe analizat specifike siç është ajo e markuesit tumoral, hormone të veçanta, elektroforeza e hemoglobinës dhe e proteinës, bëhen pranë Poliklinikës së Specialiteteve", tha Manjola Lika, mjeke laboratori në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3.

Por, në fakt, në QSUT vazhdojnë të paraqiten pacientë jo të shtruar, për shkak se nuk besojnë në analizat që mund të kryhen në poliklinikat e specialiteteve.

Ky është një ogur i mirë, nëse poliklinikat e specialiteteve do të kenë furnizim të vazhdueshëm me reagentë dhe jo vetëm tani që janë pajisur me aparaturat. Edhe në laboratorin më të madh në vend, në QSUT, ka pasur herë pas here mungesa të reagentëve për shkak të vonesave në tendera. Në këtë rast, pacientët nuk kanë alternativë tjetër, përvese t'u drejtohen klinikave private.


Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>