qer252019
Kanceri i qafës së mitrës. Depistim falas në qendrat shëndetësore
Për herë të parë ka nisur kontrolli falas i grave nëpër qendrat shëndetësore, në lidhje me kancerin e qafës së mitrës. Në disa qendra shëndetësore, ky proces ka përfunduar. Dr. Bruna Shiroka, drejtore e Qendrës Shëndetësore nr. 3 në Tiranë, thotë se ka përfunduar depistimin për 300 gra të ditëlindjes 1971-1974.
"Është ndër projektet më të mira që po bën Instituti i Shëndetit Publik në lidhje me depistimin e grave për praninë e Human Papiloma Virusit. Në qendrën tonë shëndetësore ka pasur interesim të grave për ta bërë këtë vetëkontroll dhe pothuajse kemi përfunduar", shprehet Dr. Bruna Shiroka.
Në fakt, edhe në qendra të tjera shëndetësore, kjo analizë po kryhet me interes nga gratë. Në varësi të numrit të popullatës që mbulon, çdo mjek familjeje i bie të ketë depistuar mesatarisht për këtë vit 36 gra. Ky depistim synon parandalimin e kancerit të qafës së mitrës te gratë, pasi vetëm në një vit, sipas të dhënave të ISHP-së, diagnostikohen rreth 130 raste të reja me kancer, ndërkohë që çdo vit vdesin 40 gra, për faktin se nuk kanë arritur ta diagnostikojnë sëmundjen në kohë.
Nëse gruaja që bën këtë test, rezulton pozitive, ajo mund ta parandalojë zhvillimin e tij në kancer dhe nëse rezulton negative, mundësitë saj për t'u infektuar nga ky virus, sa vijnë e zvogëlohen.
Bëhet fjalë për një analizë të thjeshtë vaginale, të cilën gruaja e konsultuar nga mjeku, kur paraqitet në qendrën shëndetësore e realizon vetë, ndaj edhe quhet vetëkontroll.
Alma Demiraj