kor192019
Ndryshon ligji për duhanin. Miratohen në Kuvend masat e reja
Shqipëria ndalon të konsumohen në ambientet e mbyllura përveç duhanit, edhe të produkteve të tjera si cigaret elektronike, duhani me ngrohje dhe shisha/nargjile, që janë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve. Ndalimi i tyre synon dekurajimin e konsumit të duhanit dhe produkteve të tij për të reduktuar dhe ndikimin që ka duhanpirja në shtimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Ministria e Shëndetësisë argumenton se ndryshimet në projektligj janë hartuar në frymën e Direktivës 40/2014 të BE-së, si dhe Konventës Kuadër të OBSH-së për kontrollin e duhanit. Ndryshimet që morën miratimin e parlamentit parashikojnë edhe forcimin e masave ndëshkuese në rast të moszbatimi të ligjit, për mbrojtjen e konsumatorit nga produktet e duhanit.
"Nëse një subjekt shkel 2 herë rresht brenda dy muajve nenin që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të brendshme, gjoba do të jetë sa dyfishi i gjobës së parë. Nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1-vjeçar, gjobitet me 6-fishin e gjobës, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme",
Do të ndalohet gjithashtu shitja e produkteve të duhanit me shije karakteristike (mente, vanilje etj.), si dhe shitja e paketave të duhanit me numër të reduktuar cigaresh, si masa për të dekurajuar duhanpirjen.
Por, kjo pjesë e ligjit nuk do të zbatohet menjëherë pasi më parë do të nisë një fushatë ndërgjegjësimi për të informuar qytetarët mbi ligjin e ri të duhanit, por edhe subjektet, në mënyrë që të mos i fusin më në treg këto produkte. Ndaj, duke iu lënë kohë subjekteve për të hequr nga tregu këto produkte, ndalimi i shitjes së cigareve me aromë, do të zbatohet pas dy vjetësh, pra, në vitin 2021.
Në fakt, kjo është edhe një direktivë e Parlamentit Europian për vendet e BE-së. Ndryshimet e lartpërmendura janë miratuar që në vitin 2013 nga Parlamenti Europian, për të hyrë në fuqi në vitin 2014. Sipas direktivës së Komisonit Europian dhe Parlamentit Europian, vendet anëtare të BE-së duhet të përshtatnin legjislacionin e tyre në luftën kundër duhanit dhe produkteve të tij, sipas direktivave të PE-së, por në afate kohore të ndryshme, siç është ndalimi i shitjes së cigareve me aromë deri në vitin 2020.
Shqipëria si një vend që aderon për në Bashkimin Europian, duhet të respektojë direktivat e saj. Sipas kësaj direktive, produktet e duhanit me aromë, nuk duhet të hidheshin në treg pas vitit 2016, por gjithsesi, u lihej hapësirë vendeve të BE-së që këto ndryshime t'i përshtatnin me legjislacionet e tyre përkatëse.
Alma Demiraj