nën252019
Antibiotikorezistenca. Në Shqipëri, stafilokoku ka fituar betejën ndaj betalaklamideve
Penicilina apo cefalosporinat nuk përdoren më kundër stafilokokut në Shqipëri pasi ky bakter ka krijuar rezistencë të lartë ndaj beta laktamikëve. Këto i ka bërë me dije presidenti i Shoqatës Ballkanike të Mikrobiologjisë, prof. dr. Andi Korraqi.
"Kemi rezistencë të shtuar ndaj stafilokokut. Jemi aty-aty me vende të tjera në botë. Por, ne kemi një të mirë nëse duhet vlerësuar kështu, pasi në vendin tonë bakteret nuk kanë krijuar rezistencë ndaj klasave të fundit të antibiotikëve", shprehet prof. Korraqi.
Por mikrobiologët janë të mendimit se bakteret apo mikroorganizmat nuk duhen luftuar. Është mirë që organizmi të mbijetojë me to pasi duke përdorur antibiotikë, thonë ata, shkaktojmë dëme më të mëdha, përveç antibiotikorezistencës.
"Kur përdorim antibiotikë, ne shkatërrojmë mikroorganizma të tjerë të cilët janë të domosdoshëm për florën mikrobike të zorrëve dhe duke i dëmtuar ato, krijojmë hapësira të tjera për t'u sëmurur", shprehet prof. Korraqi.
Të pyetur nga Doktor33, betejën ndaj baktereve dhe antibiotikëve, mikrobiologët e konsiderojnë të humbur pasi sipas tyre, që të dalë një antibiotik i ri nevojitet një periudhë kohe prej 30 vjetësh, ndërkohë që një bakter e krijon rezistencën ndaj një antibiotiku për 4 deri 5 vjet.
Alma Demiraj