jan212020
Coronavirusi. Prof. dr. Arjan Harxhi: OBSH-ja nuk ka rekomanduar ndalim të udhëtimeve, por shtim të masave mbrojtëse
Virusi i ri që është shfaqur në Kinë dhe që ka prekur 1700 persona nuk rrezikon Shqipërinë, por nga ana tjetër mjekët sugjerojnë të kihet kujdes dhe të respektohen kushtet e higjienës. "Sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe CDC-së nuk ka rrezik për përhapje globale Deri më tani nuk janë lëshuar urdhra për ndalimin e udhëtimeve në këtë rajon të Kinës por gjithsesi ka rekomandime apo këshilla sepse ekziston risku i infektimit nga ky virus që ka shkaktuar këtë epidemi në Kinë", u shpreh prof. dr. Arjan Harxhi.
Por në vendin tonë ka prani të shtetasve kinezë që nëse janë nga zona Uan në Kinë ku dhe është shfaqur ky virus, mund të përbëjnë rrezik për vendin tonë, duke sjellë me vete edhe virusin. Por mjekët thonë se kjo sëmundje ka patur një transmetim nga kafshët te njeriu dhe më pak nga njeriu te njeriu.
"Kemi eksperiencë të Sarsit dhe të Mersit, që janë dy coronaviruse të reja. Pra, çdo dhjetë vjet del nga një virus i ri. Të dhënat janë se virusi i ri transmetohet nga kontakti i ngushtë i njeriut me kafshët. Shpërthimi në Kinë ka ndodhur në një treg kafshësh, kryesisht nga prodhimet e detit", por tanimë ndodhemi edhe në një situatë gripale ku të gjitha institucionet u rekomandojnë qytetarëve sa më shumë kujdes me higjienën personale.
Alma Demiraj