qer292020
Covid-19. Vlerat e larta të kortizolit janë të lidhura me një rrezik më të madh për vdekje
Pacientët me Covid-19 që kanë nivele të larta të kortizolit në momentin e shtrimit në spital, janë më të rrezikuar për të vdekur, sipas një letre kërkimore të botuar në "Lancet Diabetes & Endocrinology". "Analizat tona tregojnë për herë të parë që pacientët me Covid-19 shfaqin një përgjigje ndaj stresit akut dhe kjo bëhet e dukshme përmes kortizolit. Përqendrimet e larta të kortizolit në këtë popullatë, shoqërohen me rritjen e vdekshmërisë dhe rënien e mbijetesës mesatare, me gjasë sepse steroidi është tregues i ashpërsisë së sëmundjes", shpjegon Waljit Dhillo (Kolegji Imperial i Londrës), i cili drejtoi grupin e punës.
Kërkuesit studiuan 535 pacientë të shtruar në tre spitale universitare në Londër, në periudhën 9 mars-22 prill, me një dyshim klinik për infeksion nga Sars-CoV-2. Të gjithë pacientët iu nënshtruan një sërë analizash standarde të gjakut, përfshirë hemokromin, kreatininën, proteinën reaktive C, D-dimerin dhe kortizolin, të matur brenda 48 orëve nga shtrimi në spital. Nga këta pacientë, 403 u diagnostikuan me Covid-19. Këta të fundit, kishin moshë mesatare 66.3 vjeç dhe 59.6% ishin burra. Përqendrimet mesatare të kortizolit te pacientët Covid-19 ishin dukshëm më të larta sesa te njerëzit pa infeksion (619 krahasuar me 519 nmol/L). Ekspertët nënvizojnë se përgjigjet e kortizolit ndaj stresit te pacientët me Covid-19 shkonin deri në 3,241 nmol/L, vlerë që përbën një përgjigje të theksuar, mbase më të lartë se ajo e vërejtur te pacientët që i nënshtrohen një operacioni të madh.
Autorët thonë se matja e kortizolit në kohën e shtrimit në spital mund të jetë një shënues që duhet të përdoret së bashku me nivelet e saturimit të oksigjenit për të ndihmuar në identifikimin e pacientëve që duhet të shtrohen menjëherë në spital ose jo, por shpjegojnë se çdo rol i matjes së kortizolit fillestar dhe gjatë qëndrimit në spital me Covid-19 do të kërkojë vërtetim në një studim të ardhshëm.
Lancet Diab Endoc 2020. Doi: 10.1016/S2213-8587(20)30216-3
https://doi.org/10.1016/S2213-8587(20)30216-3