tet52020
Trampi po trajtohet me deksametazon. Ja, çfarë dimë për barin
"Gjendja e presidentit Donald Tramp vazhdon të përmirësohet qëkur u dërgua në spital të premten për shkak të simptomave nga infeksioni COVID-19", u tha gazetarëve mjeku i Shtëpisë së Bardhë Sean Conley të dielën.
Conley kishte thënë më parë se po përdorte një qasje shumëdimensionale për të trajtuar Trampin. Ai tha se kjo qasje përfshinte steroidin deksametazon, në përgjigje të nivelit të oksigjenit në gjak që kishte rënë dy herë.
Deksametazoni, një steroid i përballueshëm dhe i disponueshëm gjerësisht, është shfaqur premtues në përmirësimin e rezultateve të mbijetesës te pacientët me COVID-19. Megjithëse qeveria britanike ka autorizuar përdorimin e tij te disa pacientë, mbetet e paqartë se sa i dobishëm mund të jetë trajtimi për rastet më pak të rënda COVID-19. Më tej, nuk është rishikuar nga kolegët ose përsëritur në studime të tjera.
"Ky është një përmirësim i dukshëm në opsionet terapeutike që kemi në dispozicion", tha dr. Anthony Fauci, krye eksperti i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara.
Çfarë dimë për trajtimin e mundshëm për shpëtimin e jetës? Çfarë është deksametazoni?
Zakonisht, i përshkruar si një steroid oral ose intravenoz, deksametazoni është një medikament me përdorim për një sërë gjendjesh antiinflamatore", tha dr. Onyema Ogbuagu, një mjek i sëmundjeve infektive dhe profesor i asociuar i mjekësisë në Jale, në qershor. Sidoqoftë, ashtu si steroidet e tjera, "ai është një trajtim jo-specifik, jo domosdoshmërisht me një target të vetëm, specifik të inflamacionit ose ënjtjes", thotë Ogbuagu. Kjo ka të metat e veta.
Si përdoret deksametazoni për të trajtuar pacientët me COVID-19?
Në përgjithësi, COVID-19 vjen në dy faza, shpjegoi Ogbuagu. "Njerëzit marrin virusin, ai replikohet dhe kjo është faza e parë e sëmundjes. Më pas, rreth 10 ditë pas infeksionit, njerëzit fillojnë të prodhojnë antitrupa dhe reaksione inflamatore ndaj virusit".
Këto kimikate inflamatore ndonjëherë mund të shkaktojnë komplikacione të rënda COVID-19, siç është sindroma e distresit respirator akut, e cila e bën të vështirë për oksigjenin të hyjë në qarkullimin e gjakut dhe të arrijë organet.
Pacientët me komplikacione të rënda COVID-19 panë përfitime të konsiderueshme me deksametazonin në studimin e Mbretërisë së Bashkuar. Këta pacientë e morën atë për 10 ditë, ose në formë orale, ose në rrugë iv.
Që nga qershori, ai ka reduktuar me 35% vdekjet te pacientët që kishin nevojë për trajtim me aparate për frymëmarrje dhe me 20% tek ata që kishin nevojë për oksigjen shtesë. Duket se medikamenti nuk i ndihmonte pacientët më pak të sëmurë.
Disa mjekë pyesin nëse Trampi është nën një trajtim të tepërt mjekësor. A ka komplikacione?
Ogbuagu vëren se, për t'u siguruar që deksametazoni po përdoret si duhet si një trajtim për COVID-19, është kritike koha dhe përzgjedhja e pacientëve. Gjetjet e hershme sugjerojnë se pacientët me COVID-19 që nuk kanë simptoma të rënda, siç është nevoja për aparat të frymëmarrjes, nuk duhet të marrin deksametazon.
"E keqja e steroideve është se nuk janë selektive", tha Ogbuagu. "Kjo është një thikë me dy presa, që mund të pengojë aftësinë e trupit për të luftuar virusin".
Ai vuri në dukje se disa studime kanë gjetur nivele më të larta të vdekshmërisë te njerëzit që përdorën steroide, pasi ato pengojnë përgjigjen imune të trupit ndaj virusit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe organizata të tjera këshillojnë që të mos përdoren steroide më herët gjatë sëmundjes sepse ato mund të pengojnë pastrimin e virusit.
Ogbuagu thotë edhe se steroidet, në përgjithësi, mund të shkaktojnë disa efekte anësore të rënda, të tilla si diabeti i ri ose i përkeqësuar, si dhe psikozë ose shqetësim emocional.
Ç'do të thotë kjo për presidentin?
"Është normale që njerëzit që mbajnë funksione të larta, të përfitojnë kujdes më agresiv, për shkak të presonit për t'i dhënë gjithçka që mund të imagjinohet. Mendoj se mjekët e tij po tregohen shumë të kujdesshëm në trajtim", tha dr. Russell Buhr, një profesor i mjekësisë pulmonare dhe i kujdesit kritik në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos.
Kjo mund të shpjegojë arsyen pse presidenti po merr trajtim relativisht agresiv për dikë që mjeku e përshkroi "në gjendje shumë të mirë", edhe të shtunën, edhe të dielën.
Por Buhri tha se ai "nuk mendon se mund të spekulojmë mbi arsyet që qëndrojnë pas kujdesit".
Burimi: USA TODAY