mar192021
Agjencia Evropiane e Barnave del në konkluzionin se vaksina AstraZeneca është e sigurt
Në një konferencë për mediat të enjten pasdite, EMA deklaroi se vaksina e prodhuar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit është e sigurt dhe efikase në luftimin e coronavirusit.
Drejtuesja e agjencisë, Emer Cooke u shpreh se komiteti ka vendosur t'i japë aprovimin e saj vaksinës që u përfol aq shumë sa çoi në pezullimin e aplikimit në disa vende në Evropë dhe jo vetëm. Në konkluzionet e EMA-s u theksua se përfitimet tejkalojnë çdo rrezik të mundshëm. Doza, sipas Cooke-s nuk shoqërohet me rritje të rrezikut të përgjithshëm për evente tromboembolike ose për mpiksje të gjakut.
Cooke deklaroi po ashtu se EMA po kërkon të bëjë studime vëzhguese për të hetuar më tej. Ajo u bëri thirrje personave që pësojnë ndonjë efekt anësor, ta raportojnë atë. Por, drejtuesja e EMA-s theksoi gjithsesi se vaksina e prodhuar nga AstraZeneca është një opsion i sigurt dhe efektiv për të mbrojtur qytetarët kundër Covid-19. Sipas rregullatorit evropian, vaksina në fjalë, demonstroi një efikasitet të paktën 60% në parandalimin e sëmundjes nga coronavirusi.
Alma Demiraj