gus52021
Covid-19 dhe varianti Delta. Të infektuarit e vaksinuar, kanë të njëjtën ngarkesë virale, me ata të pavaksinuar
Përhapja e variantit Delta kërcënon strategjitë e vaksinimit që synojnë imunitetin e tufës kundër Sars-cov-2. Në fakt, e njëjta ngarkesë virale u zbulua midis të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve që zhvillojnë infeksionin. Kjo theksohet nga një artikull i botuar në British Medical Journal (BMJ), i cili publikon të dhënat që dolën nga një shpërthim i kohëve të fundit në Masaçusets. Në thelb, vaksinimi, ndonëse mbetet shumë mbrojtës, mund të mos jetë i mjaftueshëm për të ndalur përhapjen e variantit Delta.
Testet e kryera në periudhën 3-17 korrik midis banorëve të Masaçusetsit gjatë një shpërthimi në Provinctaun, zonë e njohur pushimesh në Shtetet e Bashkuara, zbuluan se 75 për qind e njerëzve të infektuar ishin plotësisht të vaksinuar. "Mes të vaksinuarve me infeksion, vështirësia e zbulimit të virusit në tamponët nazalë (vlera e pragut të ciklit) ishte pothuajse identike me atë të parë te të pavaksinuarit. Ky zbulim sugjeron që të dyja grupet kanë të njëjtën ngarkesë virale dhe të njëjtën mundësi për të infektuar, kanë paralajmëruar Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). "Gjetjet mbështesin pretendimet se njerëzit e vaksinuar po luajnë një rol në valën verore të infeksioneve nga varianti Delta dhe e kanë shtyrë CDC-në të kthehet në rekomandimin që njerëzit e vaksinuar të mbajnë maska në ambientet e brendshme. Por ata konfirmojnë se vaksina vazhdon të ofrojë mbrojtje të fortë kundër sëmundjeve të rënda: Nga 346 njerëzit e vaksinuar që rezultuan pozitivë në shpërthimin e Provinctaun, 79% ishin simptomatikë dhe testi i gjenomit të mostrës sugjeroi që 90% kishin variantin Delta. Katër u shtruan në spital dhe asnjë nuk vdiq.
Disa ditë më parë, profesori Anthony Fauci, konsulent imunolog i presidentit amerikan Joe Biden, paralajmëroi se varianti Delta mund të shkaktojë të njëjtin nivel virusi te pozitivët, qofshin të vaksinuar apo të pavaksinuar. Disa të dhëna nga rezultatet e testit të ngarkesës virale ishin marrë paraprakisht nga "Washington Post", e cila ditët e fundit u konsultua me epidemiologët e njohur për këtë. "Kur mbarova së lexuari isha shumë më i shqetësuar sesa kur fillova", tha Robert Wachter, president i Departamentit të Mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko.
"Në një kuptim, komentoi Jeffrey Shaman (epidemiolog në Universitetin Columbia), vaksinimi tani ka të bëjë me mbrojtjen personale, mbrojtjen nga sëmundjet serioze. Imuniteti i tufës nuk është i rëndësishëm pasi po shohim dëshmi të shumta të infeksioneve edhe te të vaksinuarit".
"Megjithëse virusi nuk përfshinte shtrimin në spital në shumicën e vaksinuesve të infektuar, duke treguar se vaksina funksionon në mënyrë të rëndësishme, ky studim, tha Andrew Noymer (epidemiolog në Universitetin e Kalifornisë në Irvin), tregon se imuniteti i tufës shndërrohet më shumë në një mirazh sesa në një oaz". Ndërsa drejtoresha e Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), Rochelle Walensky, tha në një deklaratë: "Ky zbulim është shqetësues dhe ka qenë një faktor që ka çuar në udhëzimet e reja që rekomandojnë përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura edhe nga njerëzit e vaksinuar".