shk182022
Pandemia Covid. Gjermania heq kufizimet më 20 mars!
Tashmë, edhe Gjermania po dorëzohet përballë idesë se duhet hequr dorë nga masat kufizuese të pandemisë. Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrat e landeve kanë vendosur që deri më 20 mars, ato të hiqen gradualisht.
Kjo do të realizohet në tre faza. Kancelari sqaroi pas takimit se "virusi Omicron dhe pandemia e kanë arritur tanimë kulmin e tyre" dhe se gjendja, dalëngadalë, ka filluar të përmirësohet. Incidenca në Gjermani brenda shtatë ditësh, është për momentin mbi 1400 vetë në 100.000 banorë, por pesë ditët e fundit numri i të infektuarve dhe incidenca kanë rënë çdo ditë dhe kjo është rënia e parë prej muajit dhjetor. Gjendja në spitale është nën kontroll. Një situatë e tillë, mundëson fillimin e heqjes graduale të masave, pohoi Scholz-i.
Në fazën e parë do të lejohet futja në dyqane e të gjithë qytetarëve vetëm me maska, pavarësisht nëse janë vaksinuar apo shëruar. Për personat e vaksinuar apo të shëruar nuk do të ketë më kufizime sa u përket takimeve me të tjerët, ndërsa të pavaksinuarit, deri më 19 mars, mund të takojnë vetëm dy njerëz të tjerë jashtë familjes së tyre.
Faza e dytë fillon më 4 mars, kur do të ketë lehtësime për gastronominë dhe hotelet. Diskotekat dhe klubet do të hapen, por duke respektuar disa rregulla, ndërsa në manifestimet e mëdha në mjedise të brendshme mund të mblidhen deri në 6000 vetë, ose 60% e kapacitetit. Më 20 mars, hiqet dhe detyrimi i punës nga shtëpia. Më pas mbetet vetëm mbajtja e maskave në vende të caktuara, trafik apo objekte të mbyllura, por vaksinimi do të vazhdojë të mbetet synim kryesor.
Alma Demiraj