tet212022
Greva e pedagogëve. Rektori i Universitetit të Mjekësisë: Mësimi te "Mjekësia" nuk është ndërprerë asnjë ditë
Greva e pedagogëve ka hyrë në ditën e katërt të saj. Kjo grevë po zhvillohet nga sindikata e pedagogëve të cilët kërkojnë ndër të tjera rritje të pagave. Prej pesë ditësh, në grevë janë përfshirë grupe pedagogësh nga çdo fakultet, ndërkohë që pjesa tjetër ka vijuar mësimin. Grevën e kanë mbështetur më së shumti pedagogë nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe ai Politeknik. Në Universitetin e Mjekësisë mësimi ka vijuar normalisht, ndonjë pedagog tek-tuk është përfshirë në grevë. I pyetur nga Doktor33 rektori i Universitetit të Mjekësisë prof. dr. Arben Gjata shprehet se çdokush ka të drejtë të protestojë.
"Grevat organizohen nga sindikatat. Është e drejta e tyre të protestojnë, të kërkojnë paga më të larta. Kush nuk do të donte, në fakt? Roli i rektorit është të zbatojë ligjin. Ne i kemi kërkuar kryeministrit rritje të pagave të pedagogëve, pasi prej vitesh pagat nuk ishin rishikuar. Kemi arritur një rritje në total 15%. Pra, 7% nga buxheti i shtetit dhe 8% u mundësuan nga të ardhurat e universitetit", theksoi rektori i Universitetit të Mjekësisë, prof. Gjata.
Pedagogët e Universitetit Mjekësisë kanë paga disi më të mira, pasi ata paguhen edhe për shërbimin që ofrojnë në Qendrën Spitalore Universitare. Këtë të enjte, greva e pedagogëve u zgjerua pasi erdhën edhe pedagogë nga universitete të rretheve.
Kërkesat e pedagogëve
Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës.
Rritja e financimit për kërkimin shkencor.
Rivendosja e shtesave mbi pagë për "Dëshmi shëndeti në punë".
Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë.
Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare.
Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosdiferencimit të orës mësimore nga leksioni.
Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare.
Të pezullohet deri më 2026, zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit "Profesor".
Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike.
Alma Demiraj