shk132023
Rezistenca ndaj antibiotikëve. OBSH: Duhet të jemi të kujdesshëm, betejë e humbur nëse nuk merren masa
Rezistenca ndaj antibiotikëve është kthyer në një shqetësim serioz jo vetëm për globin dhe OBSH, por edhe për Shqipërinë. Keqpërdorimi i antibiotikëve ka bërë që bakteret që prekin organizmin e njeriut të ndryshojnë dhe të bëhen më rezistentë ndaj efekteve të një antibiotiku. Listën e baktereve e kryeson Stafilokoku aureus, më rezistenti i pothuajse të gjithë antibiotikëve të zakonshëm.
"Kanë të gjitha një simptomalogji, shfaqen siç do të shfaqej një infeksion bakterial dhe ndaj është e rëndësishme që për çdo shqetësim të drejtohemi te mjeku dhe është e rëndësishme që mjekët t'i drejtojnë pacientët drejt laboratorit për të bërë analizat", u shpreh Andi Korraqi, mikrobiolog.
Mjekët dhe specialistët bëjnë thirrje për kujdes të shtuar në përdorimin e tyre dhe rishikimin e protokolleve shëndetësore për shkak se situata po vjen duke u përkeqësuar edhe si pasojë e pandemisë Covid-19, ku lindi nevoja për një përdorim të shfrenuar të antibiotikëve.
"Shumë shpesh pacienti na vjen pasi ka marrë 2-3 ditë antibiotikë vetë. Pra, ai ka marrë diçka që ka patur në shtëpi apo ka marrë diçka në farmaci pa u këshilluar me mjekun dhe ky është problemi më i madh që ne hasim", tha Dalina Raseni, mjeke.
"Një nga rolet kryesore të farmacistit të terrenit është puna që ai bën në vazhdimësi për të parandaluar përhapjen e antibiotikorezistencës", u shpreh Ermelinda Bozo.
"Këshillohet që edhe në Shqipëri të rifreskohen të gjitha protokollet e trajtimit të infeksioneve që mjekët t'i përmbahen rregullave europiane për trajtimin e infeksioneve dhe rifreskohen njohuritë mbi infektologjinë dhe infeksionet bakteriale që në fund të fundit kanë gjithnjë nevojë për një përdorim të saktë të antibiotikëve të duhur", tha Aurora Dollenberg, nga Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë.
Në kuadër të strategjisë One Health, që në fokus ka njeriun, mjedsin dhe kafshën, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur mekanizimin e koordinimit ndërsektorial në institucione të tjera si Instituti i Shëndetit Publik, Agjencia Kombëtare e Barnave, Ministria e Bujqësisë dhe Universiteti Bujqësor në menaxhimin e situatës.
"Duhet të jemi pak më të lidhur me mjekun në mënyrë që marrja e antibiotikëve mos të ndodhë pa kriter. Nga ana tjetër duhet që vetë njerëzit të ndërgjegjësohen që jo menjëherë të drejtohen drejt farmacive apo mjekut në formën e një presioni për të marrë një trajtim. Janë protokollet ato që diktojnë marrjen ose jo të antibiotikëve nëse kjo do të ishte e domosdoshme", tha Entela Kolovani, zv.ministre e Shëndetësisë.
Kjo sa i takon protokolleve shëndetësore, por ende ka nevojë për një ndërgjegjësim të pacientëve në ndjekjen e rrugës mjekësore, që nga mjeku i familjes, analizat laboratorike dhe jo më drejt dyerve të farmacisë", deklaroi Entela Kolovani, zv.ministre e Shëndetësisë.
Alma Demiraj