nën192018
Kanceri i pankreasit. Mbipesha gjatë adoleshencës mund të katërfishojë rrezikun
Sipas një studimi të publikuar në "Cancer", obeziteti gjatë adoleshencës lidhet me një katërfishim të rrezikut për kancer të pankreasit në moshë të rritur dhe mbipesha apo pesha në kufijtë e sipërm të intervalit të konsideruar normal te meshkujt, mund të rritë rrezikun e kancerit të pakreasit në mënyrë proporcionale.
"Kanceri i pankreasit është shkaku i gjashtë më i shpeshtë i vdekjeve për shkak të kancerit në botë dhe shumë studime e kanë lidhur obezitetin e të rriturve me një shtim të rrezikut për fillimin e kësaj sëmundjeje. Ne donim të kuptonim nëse mund të ketë edhe një lidhje me peshën në adoleshencë", shpjegon Zohor Levi (Universiteti i Tel Avivit), i cili ka drejtuar grupin e punës.
Hulumtuesit analizuan 1.087.358 meshkuj hebrenj dhe 707.212 gra në Izrael, të cilët iu nënshtruan një ekzaminimi mjekësor të detyrueshëm ndërmjet moshës 16-19 vjeç, nga viti 1967, deri në vitin 2002. Incidenca e kancerit të pankreasit në vitin 2012 ishte identifikuar, në fakt, përmes hulumtimeve në Regjistrin Kombëtar të Kancerit në Izrael. Në një mesatare prej 23.3 vjetësh ndjekjeje, janë identifikuar 551 raste të reja të kancerit të pankreasit, 423 meshkuj dhe 128 femra. Krahasuar me një indeks të masës trupore (IMT) normal (nga 5, në më pak se 85 për qind), obeziteti (95 për qind) është shoqëruar me një rrezik kanceri prej 3.67 herë më të lartë mes burrave dhe 4.07 herë më të lartë mes femrave.
Në veçanti, te meshkujt, një IMT e lartë, ndonëse në normë (nga 75, në më pak se 85 për qind) dhe mbipesha (nga 85, në më pak se 95 për qind) janë shoqëruar me rreziqe më të mëdha për kancerin 49% dhe 97%, respektivisht, në krahasim me një IMT në normë, por të ulët (nga 5, në më pak se 25 për qind).
"Në këtë popullsi izraelite, përqindja e përgjithshme e kancerit të pankreasit që i atribuohet mbipeshës dhe obezitetit gjatë adoleshencës ishte 11%", përfundojnë autorët. Në një editorial shoqërues, Chanan Meydan thekson faktin se inflamacioni sistemik i shkaktuar nga obeziteti, mund të jetë një nxitës i mundshëm për zhvillimin e kancerit pankreatik.
Cancer 2018. Doi: 10.1002/cncr.31764
https://onlinelibrary.wiley.com/doi/abs/10.1002/cncr.31764
Cancer 2018. Doi: 10.1002/cncr.31762
https://onlinelibrary.wiley.com/doi/abs/10.1002/cncr.31762