Pediatri

shk72020

Proteinat në fëmijërinë e hershme. Sasia e duhur dhe burimet e tyre

Teprimi me proteinat në fëmijëri ekspozon ndaj rrezikut të mbipeshës dhe obezitetit në moshë madhore. Këtu janë rekomandimet e Shoqatës Italiane të Pediatrisë Sociale Parandaluese (SIPPS) për marrjen e duhur të proteinave që në muajt e parë të jetës.
Çështja e proteinave në dietën e fëmijërisë së hershme është një temë shumë e studiuar. Cila është doza e duhur në dietën ditore në moshë të re?
Një punë e Rolland-Cachera et al në vitin 1995 kishte hamendësuar se proteinat e shumta në fëmijërinë e hershme do të nxisnin rritjen, me pasoja negative metabolike në moshë të rritur. Mekanizmi do të bazohej në faktin që proteinat stimulojnë hormonin e rritjes (IGF-1, faktori i rritjes 1, i ngjashëm me insulinën) i cili, si përgjigje, do të shkaktonte një rritje të shpejtë të masës muskulare dhe asaj të dhjamit. Studimet pasuese epidemiologjike kanë konfirmuar hipotezën. Rritja e shpejtë në fëmijërinë e hershme rrit rrezikun e mbipeshës dhe obezitetit vite më vonë.

 

Jo të gjitha proteinat janë njësoj

Pas ujit, proteinat, përbëjnë pjesën kryesore të indeve; ato kanë një funksion kryesisht plastik (shërbejnë për zhvillimin, ruajtjen dhe restaurimin e qelizave) dhe, në një masë më të vogël, sigurojnë energji. Sidoqoftë, pasojat e marrjes së tepërt të proteinave në një moshë shumë të re mund të çojnë në komplikacione renale, ndryshime të oreksit dhe obezitet.
"Jo të gjitha proteinat janë njësoj", kujton Leo Venturelli, shef i komunikimit në SIPPS. Një racion i vetëm e një ushqimi proteinik me origjinë shtazore është në gjendje të plotësojë nevojat e trupit (në kuptimin e proteinave). Për të përmbushur këtë nevojë vetëm me proteina me bazë bimore, është e nevojshme të kombinohen disa burime të ndryshme: "Konsumi klasik i makaronave dhe fasuleve është shembulli kryesor i këtij koncepti: duke kombinuar proteinat e bishtajoreve me drithërat, cilësia e proteinave përmirësohet nga integrimi i ndërsjellë, duke dhënë mundësi për plotësimin e nevojës ideale të proteinave".

 

Dozat dhe burimet e proteinave

Sipas SIPPS-it, fëmijët nën moshën 3 vjeç nuk duhet të kalojnë masën 12% të marrjes së proteinave ditore. Kategoritë ushqimore nga të cilat mund të nxirrni burimin kryesor të proteinave janë 5: mishi, vezët, peshqit, bishtajoret, qumështi dhe derivatet e tij. Ato ndahen si më poshtë gjatë javës: 4 racione bishtajore, 4 racione peshku, 1 vezë, 1 racion mishi i kuq, 2 racione me mish të bardhë dhe 2 racione djathë.
Proteinat e tjera, megjithëse në sasi më të vogla, gjenden edhe në grurë (pra, në makarona), elb, tërshërë, fruta të thata, gështenja, madje edhe disa fruta dhe perime.
"Është jashtëzakonisht e rëndësishme të konsumoni vetëm një burim parësor të proteinave në çdo vakt, thekson Giuseppe Di Mauro, president i SIPPS-it, që të zgjidhet, pra, nga bishtajoret, mishi, peshku, vezët ose qumështi dhe derivatet, por kurrë të mos i kombinoni ato në të njëjtin vakt. Shpesh ne e teprojmë me konsumimin e proteinave pa e kuptuar këtë, si në rastin e sanduiçit me djathë dhe proshutë. Proteinat luajnë një rol themelor në ruajtjen e një gjendjeje të mirë shëndetësore prandaj, për të patur shprehi të shëndetshme ushqyerjeje, nevojitet vëmendje e vazhdueshme ndaj frekuencës së rekomanduar të alternimit të burimeve të proteinave, së bashku me konsumin e racioneve të ekuilibruara, që janë në gjendje të ruajnë dhe favorizojnë shëndetin e fëmijëve tanë".
Indikacioni i kujdesshëm i propozuar nga Larn (Nivelet e referencës për popullatën italiane, 2014) për fëmijët nën moshën 3 vjeç është sigurimi i një sasie ditore të proteinave që është brenda intervalit 8-12% të energjisë së përgjithshme dhe patjetër, nën 15% të energjisë totale ditore. "Që prej tre vjetësh, mbi bazën e indikacioneve të Larnit, përfundon Lisa Mariotti, nutricioniste pediatrike në Departamentin e Mjekësisë së Fëmijërisë dhe Moshës së Zhvillimit dhe konsulente nutricioniste në SIPPS, për marrjen e proteinave, është mirë të qëndroni në intervalin 12-18% të kalorive ditore. Rreziku i konsumit të tepërt mund të çojë në komplikacione renale, mbipeshë/obezitet dhe ndryshime në oreks".


Francesca De Vecchi


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>