shk212020
Tonsilektomia në apnetë e lehta të gjumit, nuk përmirëson funksionin konjitiv
Fëmijët e vegjël, me apne obstruktive të gjumit (OSA) të gradës së lehtë, të cilëve u janë hequr bajamet, flenë më mirë se bashkëmoshatarët e tyre pa tonsilektomi, por kirurgjia nuk e përmirëson funksionin konjitiv. Ky është rezultati i përmbledhur i një studimi të publikuar në "Pediatrics", me autore kryesore Karen Waters (Spitali i Fëmijëve Uestmead, Australi).
"Pavarësisht studimeve të zhvilluara deri tani, nuk është e qartë nëse adenotonsilektomia në OSA mund të përmirësojë funksionin konjitiv në moshë parashkollore", thotë kërkuesja, që së bashku me kolegët, ka përzgjedhur në mënyrë rastësore 190 fëmijë të moshës 3-5 vjeç, me apne të lehtë, që t'i nënshtrohen adenotonsilektomisë apo të vihen në listën e pritjes për ndërhyrjen. Një vit më vonë, nga të dhënat e mbledhura nuk kanë dalë dallime në testet konjitive të aftësisë intelektuale, në funksionin ekzekutiv dhe në kujtesë, pavarësisht nga bërja apo jo e ndërhyrjes.
"Te parashkollorët me apne obstruktive të gjumit (OSA) të lehtë, përfitimi i adenotonsilektomisë është i kufizuar, sa i përket përmirësimit të funksionit konjitiv", vëren autori. Më tej, ai shton: "Sidoqoftë, ka indikacione të tjera të mundshme për tonsilektominë në varësi të sjelljes emocionale dhe fizike të fëmijës ose ndikimit të OSA-së dhe këta faktorë duhet të merren parasysh". Në fakt, tonsilektomia lidhet me një shtim të gjumit të përgjithshëm, me ulje më të mëdha në zgjimet e natës, në numrin e apneve dhe gërhitjes.
"Një kufizim i studimit është që shumë pjesëmarrës u larguan para përfundimit të ndjekjes, duke lënë vetëm 141 raste me të dhëna të plota", shkruajnë studiuesit, duke deklaruar se për shkak të dezertimeve të shumta, kampioni i mbetur mund të mos ketë patur forcën e mjaftueshme për të zbuluar ndryshime të vogla, por të konsiderueshme në rezultatet me dhe pa operacion. "Përderisa fëmijët nuk kanë probleme serioze të lidhura me OSA, që nuk përmirësohen me kalimin e kohës, avantazhi i operacionit në moshë parashkollore mbetet i ulët, jo vetëm për shkak të përfitimit të kufizuar njohës, por edhe për rrezikun e komplikacioneve dhe çrregullimeve të frymëmarrjes pas adenotonsilektomisë", përfundojnë autorët.
Pediatrics 2020. Doi: 10.1542/peds.2019-1450
https://doi.org/10.1542/peds.2019-1450