Pediatri

qer142022

Përdorimi i valproatit dhe topiramatit te gratë shtatzëna me epilepsi, rrit rrezikun për autizëm te fëmija

Një studim i publikuar në JAMA Neurology, me autore kryesore Mars-Helene Bjork (Universiteti i Bergenit, Norvegji), ka zbuluar se ekspozimi prenatal ndaj topiramatit dhe valproatit në monoterapi, shoqërohet me rrezik të shtuar për çrregullim të spektrit të autizmit dhe paaftësi intelektuale te fëmija.

 "Gratë shtatzëna me epilepsi shpesh kanë nevojë për barna për të parandaluar krizat gjatë shtatzënisë dhe ky studim, i bazuar në mbi 4 milionë shtatzëni, jo vetëm që konfirmon rrezikun e raportuar më parë për autizëm, për shkak të ekspozimit ndaj valproatit, por tregon se rreziku është i njëjtë edhe për topiramatin", shkruajnë autorët, të cilët mblodhën të dhëna për përdorimin e  antiepileptikëve te gratë shtatzëna në vendet nordike, duke ndjekur me kalimin e kohës gratë dhe pasardhësit e tyre, për të hetuar nëse ata të lindur nga nëna epileptike kanë një rrezik më të lartë për autizëm dhe çrregullime neurozhvillimore.

"Epilepsia, migrena dhe çrregullimi bipolar janë çrregullime të zakonshme te gratë në moshë riprodhuese dhe është e rëndësishme që të sëmurat të informohen se cili trajtim është më i sigurt gjatë shtatzënisë, në mënyrë që të marrin vendime të informuara, së bashku me mjekun e tyre", thotë Bjorku, e cila së bashku me studiues nga Danimarka, Finlanda, Islanda dhe Suedia, analizuan të dhënat për 4,494,926 fëmijë të lindur ndërmjet viteve 1996-2017; nga të cilët, 31,047 fëmijë kanë lindur nga nëna që kanë ndjekur terapi antiepileptike gjatë shtatzënisë.

Rezultatet kanë treguar se ekspozimi ndaj topiramatit dhe valproatit shoqërohet me një rrezik dy deri në katër herë më të madh për autizëm dhe paaftësi intelektuale. Anasjelltas, medikamenti antikonvulsant më i përdorur në shtatzëni, lamotrigina, nuk lidhet me rrezikun për autizëm dhe paaftësi intelektuale te pasardhësit, ashtu si levetiracetami, një tjetër medikament i përdorur gjerësisht te njerëzit me epilepsi. "Në funksion të këtyre rezultateve, është e rëndësishme të njihet rreziku për fëmijën dhe se cilat medikamente mund të përdoren për të siguruar në mënyrë optimale shëndetin e fëmijës në rast të epilepsisë të nënës", përfundon Bjorku.

 

JAMA Neurology 2022. Doi: 10.1001/jamaneurol.2022.1269
http://doi.org/10.1001/jamaneurol.2022.1269


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>