nën32022
Në vend po qarkullojnë shumë viruse. Prof. dr. Xhorxhina Kuli: Ndihmoni imunitetin e fëmijëve me vitamina
Periudha post Covid ka bërë që në vendin tonë të qarkullojnë disa viruse njëkohësisht ç'ka ka përkeqësuar situatën epidemiologjike për fëmijët e vegjël. Në shërbimin e pediatrisë infektive ka fluks të shtuar fëmijësh, aq sa nuk gjen shtretër të lirë. Shefja e këtij shërbimi, prof. dr. Xhorxhina Kuli shpjegon për Doktor33 se ka një alert edhe nga OBSH-ja për qarkullimin e disa viruseve.
"Aktualisht nuk kam asnjë shtrat të lirë, por mundohemi ta menaxhojmë mirë duke i nxjerrë pak më shpejt në mënyrë që t'u japim mundësi të gjithë fëmijëve të trajtohen. Nga ISHP-ja është njoftuar që po qarkullon influenca e tipit A, por në fakt kemi rinoviruse. Janë viruse që shkaktojnë rrufë e temperaturë të lartë. Kemi në qarkullim virusin respirator sincicial i cili nëse nuk i jepet ndihma në kohë fëmijës shfaq komplikacione të rënda dhe prek sidomos fëmijët e vegjël 0-16 muajsh. Ajo që vihet re është se virusi i gripit është afruar në kohë, pra, është kapur më herët se vitet e tjera", shprehet shefja e shërbimit të pediatrisë infektive prof. dr. Xhorxhina Kuli.
Në shërbimin e pediatrisë aktualisht ka vetëm një fëmijë të shtruar me Covid, por sipas mjekes pediatre ka shumë fëmijë të prekur të cilët nuk diagnostikohen me rapid test, pasi ai u del negativ, por në momentin që shfaqin komplikacion, analizat e tyre tregojnë numër të lartë antitrupash, që tregon se janë prekur nga Covidi.
Në këtë situatë, kur ka shumë viruse, mjekja pediatre i këshillon nënat, por dhe mjekët pediatër nëpër qendra shëndetësore që ta ndihmojnë imunitetin fëmijëve me suplemente.
"Ka së fundmi shumë punime që tregojnë se vitamina D nuk përdoret vetëm për kockat, por ndihmon edhe në alergjitë ushqimore te fëmijët dhe minimizon problemet respiratore. Vitamina C është një antioksidant shumë i mirë. Madje edhe laktoferrina është parë si një proteinë imunitare. Ajo gjendet te kulloshtra në 21 ditët e para të ushqyerjes me gji, por më pas reduktohet. Këto duhen dhënë gjithmonë duke u konsultuar më mjekun pediatër i cili përcakton edhe dozat e sakta", këshillon prof. dr. Kuli.
Prof. Kuli këshillon nënat që të vaksinojnë fëmijët kundër gripit nëse janë diagnostikuar me sëmundje autoimune apo kanë një tjetër patologji që mund të rëndohet nëse preket nga virusi.
Alma Demiraj