Pediatri

nën112022

Konsumimi i ushqimeve shumë të përpunuara nga nëna shton rrezikun e obezitetit te fëmija

Sipas një studimi të ri, konsumimi i ushqimeve shumë të përpunuara nga ana e nënës duket se rrit rrezikun e mbipeshës ose obezitetit për fëmijën e saj.

Të ashtuquajturat "dieta perëndimore" shpesh përfshijnë ushqime shumë të përpunuara, të tilla si ushqimet e pjekura dhe ato të paketuara, pijet e gazuara dhe drithërat me sheqer, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në shtimin e peshës së të rriturve. Marrëdhënia ndërmjet konsumit të vakteve shumë të përpunuara nga ana e prindërve dhe peshës së pasardhësve, ka qenë dhe vazhdon të jetë ende e paqartë.

Një kërkim i ri, i kryer midis infermiereve amerikane dhe i botuar në British Medical Journal (BMJ), ka hetuar lidhjen midis konsumit të ushqimeve shumë të përpunuara te gratë shtatzëna dhe në 4 vitet e para të rritjes së pasardhësve me rrezikun e të qenit mbipeshë ose obezë te fëmijët dhe adoleshentët.

Ekipi i studimit vlerësoi 14,553 nëna infermiere të regjistruara ndërmjet viteve 1989 dhe 1997 në studimin NHSII dhe 19,958 fëmijët e tyre nga studimi "Growning Up Today" (GUTS I dhe II) në SHBA. 45% e fëmijëve pjesëmarrës në studim ishin meshkuj, dhe mosha e tyre për të vlerësuar statusin e obezitetit dhe mbipeshës varionte nga 7 deri në 17 vjeç.

Studiuesit i kërkuan nënave të plotësonin një pyetësor mbi konsumin e ushqimit dhe më pas i klasifikuan ushqimet sipas katër klasifikimeve të sistemit brazilian NOVA. Gjendja e mbipeshës apo obezitetit të fëmijëve dhe adoleshentëve u vlerësua duke llogaritur indeksin e masës trupore.

Midis 19,958 çifteve nënë-fëmijë të studiuar, 12.4% e fëmijëve zhvilluan obezitet ose mbipeshë. Konsumimi i lartë e ushqimeve shumë të përpunuara nga nëna gjatë rritjes së fëmijëve ishte proporcionalisht i lidhur me obezitetin ose mbipeshën te fëmijët. Studiuesit vunë re një rrezik 26% më të lartë të mbipeshës ose obezitetit në grupin me konsumin më të lartë të ushqimeve shumë të përpunuara nga nëna krahasuar me grupin e nënave që i konsumuan më pak këto ushqime.

Rreziku mbeti edhe pas eliminimit të çdo faktori shoqërues si stili sedentar i jetesës dhe aktiviteti fizik, ushqimi i vetë fëmijës dhe faktorë të tjerë shëndetësorë për nënën; duke treguar kështu një lidhje të drejtpërdrejtë midis mënyrës së jetesës së nënës dhe rritjes së shëndetshme të fëmijës.

Gjinia, pesha e lindjes, mosha gjestacionale ose pesha e trupit të nënës, nuk kishin asnjë ndikim në këtë korrelacion.

Hulumtimi tregon përfitimet e mundshme të kufizimit të konsumit të ushqimeve shumë të përpunuara te nënat dhe gratë në moshë riprodhuese për të ulur rrezikun e mbipeshës te fëmijët e tyre, por nuk heton asnjë mekanizëm shkakësor ose përjashton asnjë mekanizëm tjetër socio-ekonomik që qëndron në themel të këtij korrelacioni. Prandaj nevojiten studime të mëtejshme për të hetuar mekanizmat specifikë biologjikë dhe përcaktuesit socialë që qëndrojnë në themel të lidhjeve të vëzhguara.

"Si një komunitet mjekësor/shëndetësor, ne duhet të kuptojmë se koha që një grua po rrit fëmijët e saj është një mundësi unike për të ndërmarrë veprime si për shëndetin e nënës ashtu edhe për atë të fëmijëve. Por, ushqimet shumë të përpunuara janë shpesh të përshtatshme dhe të përballueshme, dhe shumë komunitete nuk janë në gjendje të kenë lehtësisht ushqime të freskëta dhe të shëndetshme, prandaj, "i takon mjekëve klinik t'i bëjnë ato prioritet dhe të përpiqen të thyejnë ato barriera sociale dhe ekonomike, të cilat e bëjnë të vështirë aksesin në ushqim të shëndetshëm dhe më pak të përpunuar", përfundon koordinatori i studimit Andrew T. Chan nga Shkolla Mjekësore e Harvardit.

 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>