mar302023
Edhe shtimi i lehtë në peshë rrit rrezikun për hipertension te fëmijët
Edhe një shtim i lehtë në peshë mund të rrisë rrezikun për hipertension, rrezik i cili mund të rritet edhe më shumë nëse shtimi në peshë vazhdon me kalimin e kohës. Kjo është shpjeguar nga Corinna Koebnick, nutricioniste dhe studiuese e obezitetit në Kaiser Permanente në Kaliforninë Jugore dhe autore kryesore e një artikulli të botuar në "JAMA Open Network".
"Përballë provave në rritje se dëmtimi i organeve për shkak të hipertensionit mund të bëhet i pakthyeshëm pavarësisht kontrollit, është thelbësore të parandalohet shfaqja e tij në fëmijëri", thotë studiuesja, duke kujtuar se obeziteti mund të jetë faktori më i fuqishëm i rrezikut i modifikueshëm për hipertensionin gjatë fëmijërisë.
"Ne e projektuam këtë studim për të vlerësuar rrezikun e hipertensionit të lidhur si me të qenit mbipeshë në fillim të ndjekjes ashtu edhe me shtimin e mëtejshëm të peshës me kalimin e kohës", shkruajnë autorët, të cilët kryen një analizë retrospektive duke përdorur dhënat elektronike të sistemit të integruar shëndetësor të të Kaiser Permanente në Kaliforni.
Për të analizuar këto të dhëna, studiuesit zgjodhën një grup prej 801,019 të rinjsh 3-17 vjeç, të cilët kryen një vizitë fillestare në periudhën 1 janar 2008-28 shkurt 2015, e cila u pasua nga një ndjekje maksimale 5-vjeçare nga 1 janari 2008 deri më 28 shkurt 2020.
Rezultatet? Te fëmijët, rreziku i hipertensionit rritet edhe me një shtim të vogël në peshë, për t'u rritur ngadalë por në mënyrë progresive në përpjesëtim të drejtë me çdo shtim të mëvonshëm në peshë.
Me fjalë të tjera, pjesëmarrësit me IMT bazë 97% ose më të lartë kishin një rrezik pothuajse 5-fish më të lartë për hipertension në fund të ndjekjes krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre me IMT 40-59%.
"Rezultatet e këtij studimi tregojnë një lidhje të fortë midis peshës trupore dhe rrezikut për hipertension, i cili rritet me rritjen e peshës me kalimin e kohës. Bazuar në këto të dhëna, nevojiten kërkime të mëtejshme për të rivlerësuar rreziqet shëndetësore të një peshe mesatarisht të lartë te fëmijët", përfundon Koebnick.
JAMA Open Network 2023. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2023.1987
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2023.1987