Pediatri

gus42023

Çrregullimet funksionale gastrointestinale te fëmijët. Përditësohen rekomandimet

Çrregullimet gastrointestinale te fëmijët shumë të vegjël janë një sfidë në rritje për shëndetin global. Bëhet fjalë për çrregullime që nuk mund të diagnostikohen duke përdorur shënjues specifikë dhe për të cilët nuk ka protokolle të veçanta trajtimi. Sipas të dhënave epidemiologjike, deri në 20% e fëmijëve në vitet e para të jetës shfaqin ato që në bazë të Kritereve të Romës IV (kriteret diagnostike të vendosura nga një komision ndërkombëtar për të përcaktuar diagnozën dhe udhëhequr trajtimin e çrregullimeve funksionale gastrointestinale) janë përcaktuar si "çrregullime funksionale gastrointestinale" të zgjatura, të përsëritura dhe të lidhura me moshën.

Çrregullimet gastrointestinale te fëmijët: dhimbje barku, regurgitim, të vjella dhe kapsllëk

Çrregullimet gastrointestinale te fëmijët të tilla si dhimbjet e barkut, refluksi, të vjellat dhe kapsllëku, i atribuohen kryesisht boshtit intestin-tru dhe karakterizohen nga ndryshime të lëvizshmërisë, mbindjeshmëri viscerale dhe përfshirje të mikrobiotës intestinale.

Një nga simptomat më të zakonshme te foshnjat 0-12 muajsh është refluksi, ndërsa te fëmijët e moshës 13-48 muajsh më të shpeshta janë kapsllëku dhe të vjellat ciklike, në anën tjetër, te fëmijët mbi katër vjeç simptomat më të zakonshme janë kapsllëku, dispepsia funksionale dhe sindroma e zorrës së irrituar. Nuk ekzistojnë shënjues funksionalë karakterizues (si për sëmundjet e tjera gastrointestinale pediatrike) dhe nuk ka as indikacione univokale trajtimi që mund të standardizojnë praktikën pediatrike, kujton Francesco Savino nga Spitali i Fëmijëve Regina Margherita në Torino, në edicionin e fundit vjetor të Forumit të të Ushqyerit Praktik XVII.

Një fushë shumë e studiuar e ndërhyrjes ka të bëjë me përdorimin e probiotikëve, të cilët, nëse administrohen në sasi të mjaftueshme, mund të sjellin përfitime për shëndetin e bujtësit. Probiotikët vazhdojnë të përdoren gjerësisht edhe pse ende ka pasiguri për efektivitetin e tyre. "Disa studime kanë raportuar disbiozë të zorrëve me një rritje të E. Coli, Klebsiella dhe Proteobaktereve dhe një ulje të laktobacileve dhe bifidobaktereve. Ndërsa disa të tjerë - thekson Savino - kanë dokumentuar efektin e dobishëm të probiotikëve si L. Reuteri DSM 17938, dhe Lactobacillus GG, te foshnjat nën 3 muajsh". Megjithatë, është pediatri, i cili pas vlerësimit të kujdesshëm, ai që vendos se cila është qasja më e mirë që duhet ndjekur për të lehtësuar çrregullimin, përfundoi eksperti.

Shoqata Europiane e Gastroenterologjisë Pediatrike, Hepatologjisë dhe Ushqyerjes ka përditësuar rekomandimet

Shoqata Europiane e Gastroenterologjisë, Hepatologjisë dhe Ushqyerjes Pediatrike ka përditësuar gjithashtu rekomandimet e saj për përdorimin e probiotikëve për menaxhimin e çrregullimeve gastrointestinale pediatrike, duke specifikuar se, megjithëse ka prova të cilat mbështesin probiotikët specifikë në situata të caktuara, në përgjithësi nevojiten studime të tjerë për të konfirmuar efektet dhe për të përcaktuar llojin, dozën dhe kohën e marrjes, aq sa - specifikon dokumenti - përdorimi i probiotikëve të cilët nuk kanë përfitime shëndetësore të dokumentuara duhet të dekurajohet.

Bazuar në të dhënat e literaturës në dispozicion dhe fuqinë e provave mbështetëse, një rekomandim në fushën e çrregullimeve funksionale është bërë vetëm për dhimbjet e barku te fëmijët. Për këto çrregullime Shoqata rekomandon përdorimin e L reuteri DSM 17938 (108 CFU/ditë për të paktën 21 ditë) gjatë ushqyerjes me gji (shkalla e provës: e moderuar). Edhe pse, nuk janë dhënë rekomandime pro ose kundër përdorimit të L reuteri DSM 17938 për trajtimin e dhimbjeve të barkut te foshnjat që ushqehen me qumësht formulë për shkak të mungesës së të dhënave në literaturë. B lactis BB-12 (108 CFU/ditë, për 21-28 ditë) sugjerohet në vend të kësaj për trajtimin e foshnjave që ushqehen me gji (shkalla e provës: e moderuar).

 

Francesca De Vecchi
Teknologe ushqimore

 

Clin. Med. 2021, 10(21), 5087;
https://doi.org/10.3390/jcm10215087

J Pediatr Gastroenterol Nutr. 2023 Feb 1;76(2):232-247. doi: 10.1097/MPG.0000000000003633. Epub 2022 Oct 11
https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/36219218/


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>