sht32015
Restenoza intrastent: Vendosja e një stenti të ri jep rezultat më të mirë se tullumbacja angioplastike
Pozicionimi i një stenti të dytë në vend të një tullumbaceje angioplastike të veshur me paclitaxel, duket se është qasja më efikase për restenozën koronare që verifikohet brenda një stenti mjekësor. Ky është rezultati i dy studimeve, një evropian dhe tjetri japonez, të sapo publikuar në Journal of the american college of cardiology. Studimi i parë nga Fernando Alfonso i Spitalit Universitar, La Princesa në Madrid, Spanjë i bazuar në të dhënat e studimit Ribs IV të zhvilluar në më shumë se 300 pacientë, del në përfundimin se pas vitit të parë të follow-up pozicionimi i një stenti të trajtuar me everolimus mundëson rezultate më të mira angiografike dhe klinike se sa përdorimi i një tullumbaceje të veshur me paclitaxel. Studimi i dytë me autor Seiji Habara të Kurashiki central hospital në Japoni, tregon se 17% e pacientëve me stent mjekësor me stenozë të re të trajtuar me tullumbace angioplastike të veshur me paclitaxel përballen me një restenozë të vonë kur mbeten dhe 18 muaj nga përfundimi i procedurës. "Pacientët që paraqiten me restenozë intrastent të një stenti të trajtuar kanë dështuar ndaj çdo trajtimi të disponueshëm për anti-restenozë intrastent. Në pritje të të dhënave të reja strategjia për vendosjen e një stenti brenda tjetrit edhe pse nuk perceptohet veçanërisht si elegante, duket se është qasja më e mirë për pjesën më të madhe të lezioneve koronare me restenozë të stentit", shprehen në një editorial Antonio Colombo i Centro cuore Columbus në Milano dhe Neil Ruparelia i Imperial College në Londër. Ron Waksman i Washington hospital center në Washington DC në një intervistë deklaron: "Duke u bazuar në dy studimet e kryera duhet theksuar se pozicioni i SHBA është paksa ndryshe nga ai i Evropës dhe Japonisë. Në Shtetet e Bashkuara tullumbacja e veshur me paclitaxel nuk është e disponueshme për angioplastikën koronare dhe si rezultat i dështimit në tentativën për të trajtuar restinozën intrastent me një stent mjekësor të gjeneratës së dytë, tani përdoret brakiterapia vaskulare (VBT), e cila kryhet në qendra të specializuara si terapi e linjës së dytë".
J Am Coll Cardiol. 2015. doi: 10.1016/j.jacc.2015.04.063
J Am Coll Cardiol. 2015. doi: 10.1016/j.jacc.2015.05.002
J Am Coll Cardiol. 2015. doi: 10.1016/j.jacc.2015.04.055
Përktheu: Erjola Taga