kor52016
ACC: Udhëzues për menaxhimin e kolesterolit Ldl pa statina te pacientë me risk të lartë
Kolegji Amerikan i Kardiologëve (American College of Cardiology) ka publikuar azhornimet e udhëzuesve për menaxhimin e niveleve të kolesterolit LDL (c-Ldl) te pacientët me risk të lartë, në terapi jo me bazë statinash, të tilla si ezetimibe dhe inhibitorët e PCSK9 (protein convertase subtilisin/kexin 9).
"Te pacientët që nuk arrijnë një rënie të kënaqshme të niveleve c-Ldl me një statinë, agjenti i parë i linjës së dytë është ezetimibe", shpjegon Donald Lloyd-Jones nga "Northwestern University" në Çikago, i cili ka koordinuar grupin e ekspertëve të ngarkuar për të zhvilluar përditësimin e udhëzuesve me informacione të reja, tashmë i publikuar në "Journal of the American College of Cardiology".
"Në vazhdim duhet të merret në konsideratë shtimi ose zëvendësimi i ezetimibe me një nga inhibitorët e PCSK9, thënë ndryshe alirocumab apo evolocumab", shkruhet në dokumentin, ku shpjegohet se rruga e rekomanduar nga vendimmarrësit ka qëllimin që t'i ofrojë mjekëve dhe pacientëve një udhëzues mbi terapitë hipokolesterlomizuese jo statinike, aktualisht të pa mbuluara nga udhëzuesit klinikë.
Në vitin 2013, Kolegji Amerikan i Kardiologëve dhe Shoqata Amerikane e Zemrës (ACC/AHA) patën theksuar rëndësinë e reduktimit të c-Ldl në parandalimin kardiovaskular, duke identifikuar katër grupe pacientësh që mund të përfitonin nga trajtimi me statina:
1) individët me dëshmi klinike të sëmundjeve kardiovaskulare aterosklerotike (Ascvd);
2) individët me shtim parësor të c-Ldl me mbi 190 mg/dl;
3) individët diabetikë mes moshës 40 dhe 75 vjeç me c-LDL 70-189 mg/dl, pa prova klinike të sëmundjeve kardiovaskulare aterosklerotike;
4) individë pa sëmundje kardiovaskulare aterosklerotike ose diabet, me c-Ldl 70-189 mg/dl dhe risk të vlerësuar për sëmundjet kardiovaskulare aterosklerotike në 10 vjet ≥7,5%.
Pacientët që binin në një nga këto katër grupet udhëzoheshin të merrnin terapinë me statina, me objektivin për të arritur një reduktim prej të paktën 50% të niveleve të c-LDL.
Por nëse pacientët nuk arrijnë të reduktojnë c-LDL prej të paktën 30-50% me një statinë, dokumenti i përditësuar rekomandon ezetimibe, dhe nëse nuk mjafton, evolocumab apo alirocumab mund të shtohen apo zëvendësohen me ezetimibe.
J Am Coll Cardiol. 2016. doi: 10.1016/j.jacc.2016.03.519
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/27046161