Kardiologji

tet232017

Trigarëshi: vdekjet gjatë garës nuk janë të rralla, sidomos te meshkujt mbi 40 vjeç

Nga një studim i publikuar në Annals of Internal Medicine zbulohet se në harkun e 30 viteve, 135 pjesëmarrës në eventet amerikane sportive të trigarëshit kanë vdekur ose kanë pësuar një arrest kardiak gjatë provave. Pjesa më e madhe ishin meshkuj mbi 40 vjeç dhe dy të tretat e vdekjeve janë verifikuar gjatë notit. "Nga viti 2006 deri në 2015-n, periudha në të cilën kishim të dhëna më të plota, vdekjet dhe arrestet kardiake gjatë trigarëshit kanë qenë 1.74 për 100.000 pjesëmarrës", thotë autori Kevin Harris nga Minneapolis Heart Institute Foundation. Kërkuesit kanë vlerësuar të dhënat që vijnë nga më shumë burime, midis të cilave nga institucioni organizator i disiplinave multisportive në Shtetet e Bashkuara, raportet nga organet përkatëse dhe regjistri kombëtar amerikan i vdekjeve të papritura tek atletët. Informacione të mëtejshme janë përftuar nëpërmjet kontaktit me të afërmit dhe komisionerët e garave.

"Nga 135 evente në total, 120 ishin me origjinë kardiake dhe 15 nga trauma gjatë garës me biçikletë", shkruajnë autorët duke saktësuar se raportet e autopsisë, të disponueshme për 61 pjesëmarrës të vdekur tregonin anomali kardiovaskulare në 44% të rasteve. "Autopsia tregon lezione anatomike, por nuk thotë nëse shkaku i vdekjes ka qenë, për shembull, një aritmi. Për këtë në pjesën më të madhe të rasteve nuk dihet me siguri se çfarë e ka shkaktuar vdekjen e atletit", shprehet Harris. Nga 115 vdekjet apo arrestet kardiake që janë verifikuar te meshkujt, 103 kanë pasur të bëjnë me atletë në moshë më të madhe se 40 vjeç dhe shumë vdekje janë verifikuar gjatë notit që është gara e parë në trigarësh.

Mbase shpjegimi është se nivelet e adrenalinës janë më të larta në fillim të garës, pra kur futesh në ujë", ngrejnë hipotezën kërkuesit. Reginald Glantz nga Thomas Jefferson University Hospital and University of Pennsylvania në Philadelphia shkruan në një editorial shoqërues: "Do të jetë e nevojshme që të shtojmë forcat për të edukuar atletët më të moshuar, në veçanti meshkujt me moshë më të madhe se 40 vjeç që duan të marrin pjesë në sporte të lodhshme rezistence, si ai i triathlon, që të dallojnë menjëherë shenjat dhe simptomat e çrregullimeve të mundshme kardiovaskulare".


 

Ann. Int Med 2017. Doi: 10.7326/M17-0847
https://dx.doi.org/10.7326/M17-0847

Ann Int Med 2017. Doi: 10.7326/M17-2031
https://dx.doi.org/10.7326/M17-2031


 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>