kor312017
Kardiomiopatia jo ishemike, konfirmohen përfitimet e implantimit të defibrilatorit
Sipas një metanalize të publikuar në Annals of Internal Medicine, defibrilatorët e implantueshëm kanë një vlerë domethënëse në parandalimin primar si te pacientët me kardiomiopati ishemike dhe te ata me kardiomiopati jo ishemike. "Në krahasim me kurën konvencionale, terapia e parandalimit primar me defibrilator të implantueshëm ka reduktuar incidencën e vdekjes së papritur, si dhe për të gjitha shkaqet te pacientët në risk për aritmi ventrikulare të rrezikshme për jetën në të dyja llojet e kardiomiopatisë", shprehet autorja kryesore e studimit, Michalina Kolodziejczak nga Nicolaus Copernicus University në Bydgoszcz, Poloni.
Studimi DANISH kishte vënë në diskutim përfitimet e dispozitivëve të tillë në pacientë me sëmundje jo ishemike dhe për të hedhur dritë mbi këtë çështje, kërkuesit ekzaminuan të dhënat e 11 studimeve të randomizuar, të cilët ballafaquan terapinë me defibrilator të implantueshëm me kurat konvencionale, terapinë mjekësore bashkëkohore dhe terapi antiaritmike për parandalimin primar, në 8.700 të rritur me insuficiencë kardiake dhe fraksion të reduktuar të ejeksionit. Follow-up zgjati tre vjet dhe në fund të tij rezultatet dëshmuan se vdekshmëria për të gjitha shkaqet ka qenë ndjeshëm më e ulët me implantimin e defibrilatorit se sa me kurën konvencionale te pacientët me kardiomiopati jo ishemike (20% kundrejt 24%). Edhe te personat me sëmundje ishemike, vdekshmëria ka qenë më e ulët me defibrilator (22% kundrejt 30%). Po ashtu, vdekjet e papritura kanë qenë dukshëm më të pakta me defibrilatorin te pacientët me kardiomiopati jo ishemike (3% krahasuar me 7%), si dhe te ata me sëmundje ishemike (5% kundrejt 15%).
Nga ana tjetër, kufizimet e analizës përfshijnë kohë të ndryshme të pozicionimit të pajisjes dhe ndërhyrje të njëkohshme farmakologjike e të ri-sinkronizimit, përveç faktit se studimet janë kryer në periudha të ndryshme kohore dhe efektet anësore e komplikimet nuk janë rishikuar. "Por në përgjithësi rezultatet tona të cilat pasqyrojnë udhëzimet aktuale, mbështesin vlerën e strategjisë me defibrilator në fushën e parandalimit primar me kardiomiopati ishemike dhe jo ishemike" përfundojnë autorët.
Ann Intern Med. 2017. doi: 10.7326/M17-0120
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/28632280