nën262014
Në Shqipëri, nuk ka ndryshime gjinore në menaxhimin e insuficiencës kardiake
Shoqata Shqiptare e Kardiologisë, nën mbikqyrjen e
Prof. Mimoza Lezha dhe
Dr. Brunkita Rama, kanë zhvilluar një studim retrospektiv mbi diferencat gjinore në insuficiencën kardiake. Në studim u përfshinë 468 pacientë me moshë mesatare 63,90 vjeç, nga të cilët 290 (61.97%) janë meshkuj me moshë mesatare 62.69±11.87vj dhe 178(38.03%) janë femra me moshë mesatare 65.85±12.83vj, siç duket pacientet femra janë më të vjetra(p=0.007). Nga analiza e të dhënave lidhur me prezantimin klinik të pacientëve me IK rezultoi që femrat kanë një klinikë më të rëndë [lodhja në 80.30% të M vs. 89.90% tek F (p=0.004), palpitacione, p=0.002]. Femrat shfaqin më tepër IK NYHA III ndërsa meshkujt NYHA II (p=JS).
Edhe pse një numër i madh studimesh janë raportuar në lidhje me diferencat gjinore në trajtimin e SIZ, ka shumë pak të dhëna lidhur me vlerësimin gjinor në IK. Duke parë që meshkujt dhe femrat me IK paraqesin një sërë ndryshimesh lidhur me shfaqjen klinike, të dhënat ekografike, etiologjinë, komorbiditetin dhe faktorët e riskut , studimi mori përsipër të vlerësojë nëse ka diferenca gjinore në trajtimin e IK. Në studim meshkujt përbëjnë numrin më të madh të pacientëve me IK, ndërkohë që femrat janë më të vjetra se meshkujt. Ky fakt është arritur të shpjegohet deri diku me efektin mbrojtës të hormoneve estrogjen në zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare (femrat me IK i përkasin kryesisht periudhës së menopauzës). Ulja e nivelit të këtij hormoni tek femrat në menopauzë e postmenopauzë shkakton një up-regulation të sistemit renin-angiotenzin me rritje të aktivitetit plazmatik të reninës, duke u bërë kështu shkak i HTA dhe ky i fundit shkak i IK në femra. Në studimin e
Framinghamit, incidenca e IK është 3-4 herë më e lartë në femrat me Diabet Mellitus krahasuar me grupin e femrave pa diabet dhe 2 herë më e lartë se në subjektet meshkuj me diabet. Disfunksioni endotelial është karakteristikë e diabetit dhe substancat e derivuara prej endoteliumit ndikojnë në strukturën dhe funksionin e miokardit. Trajtimi medikamentoz i marrë nga meshkujt dhe femrat me IK është praktikisht i njëjtë, kur bëhet fjalë për pwrdorimin e ACEI dhe ARB, ndërsa aspirina vihet re të jetë përdorur më shumë në meshkuj krahasuar me femrat, p=JS. Kjo mendohet të jetë e lidhur me frekuencën më të lartë të sëmundjes ishemike në meshkuj. Bllokuesit e receptorëve të ADP duke përfshirë edhe klopidogrelin japin një reduktim të vogël të sëmundjeve CV në kombinim me aspirinën krahasuar me përdorimin e aspirinës vetëm. Nuk ka diferenca gjinore të rëndësishme në përdorimin e b-bllokuesve, mirëpo në disa studime vihet re përdorimi i tyre më shpesh në meshkuj (IM është më shpesh shkak i IK). Sipas studimit të Framinghamit prognoza në femra është më e mirë se në meshkuj pas shfaqjes së simptomave të IK. Mbijetesa pas diagnozës sipas këtij studimi është 3.2 vjet për femrat dhe 1.7 vjet për meshkujt dhe mbijetesa në një vit është 57% në meshkuj dhe 64% në femra. Studimi
FIRST(Flolan Randomizen Survival Trial) tregon që mbijetesa në femra është dy herë më e lartë se në meshkuj.
Disa konkluzione të studimit ishin:
- Prevalenca e IK është më e lartë në meshkuj se në femra.
- Faktorët etiologjik më të shpeshtë të IK janë: SIZ (me prevalencë më të lartë në meshkuj) dhe HTA (me prevalence më të lartë në femra).
- Femrat shfaqin më tepër IK NYHA III, ndërsa meshkujt me tepër IK NYHA II.
- IK me FE të ruajtur më e shpeshtë në femra dhe IK me FE të ulur më e shpeshtë në meshkuj.
- Linja e parë e trajtimit më e shpeshtë në femra.
- Metoda e rivaskularizimit (CABG) më e shpeshtë në meshkuj.
- Nuk ka diferenca gjinore në ditëqëndrim në spital.
- Rehospitalizimet më të shpeshta tek femrat.
- Vdekshmëria e shpeshtë tek femrat.
Si kufizime të këtij studimi mund të përmenden: së pari- studimi është retrospektiv, ku mungon kontakti me pacientin; së dyti- mostra e marrë në studim është një mostër e vogël, gjë që e bën atë më pak përfaqësuese dhe kufizon përgjithësimin e rezultateve; së treti- mjekimi i marrë në konsideratë është ai që pacientët kanë përdorur gjatë kohës që kanë qenë të shtruar në spital; së katërti- mungesa e ekzaminimit radiografik për të gjitha rastet.