Kardiologji

jan292018

Menstruacionet e hershme ju pririn drejt sëmundjeve kardiovaskulare

Një studim i publikuar në "Heart" thotë se ardhja e menstruacioneve para moshës 12-vjeçare është e lidhur me një shtim të riskut për të vuajtur nga sëmundje kardiake dhe nga iktusi, në moshë të rritur.
"Rezultatet tona tregojnë se ky është një nga faktorët e shumtë të riskut riprodhues, së bashku me menopauzën e parakohshme, komplikacionet e shtatzënisë dhe histerektominë, që duket se janë të lidhura me evente të ardhshme kardiovaskulare", konfirmojnë Sanne Peters dhe Mark Woodward (Universiteti i Oksfordit), autorë të studimit.

Kërkuesit kanë analizuar të dhënat e 267.440 grave dhe 215.088 burrave pa sëmundje kardiovaskulare të studimit Biobank mbi popullsinë angleze, deri në mars të vitit 2016 ose deri kur ata kanë patur një iktus, apo atakun e parë të zemrës. Mosha mesatare e grave në fillim të studimit ishte 56 vjeçe dhe mosha mesatare kur u kishin filluar menstruacionet ishte 13 vjeçe; pjesa më e madhe (85%) kishte qenë shtatzënë dhe thuajse gjysma (44%) kishte patur dy fëmijë. Gjatë shtatë viteve të monitorimit, janë regjistruar 9.054 raste me sëmundje kardiovaskulare, një e treta e të cilave (34%) kanë qenë gra.

Analizimi i të dhënave ka treguar se gratë që i kishin patur menstruacionet e para para moshës 12-vjeçare, paraqisnin një rrezik më të madh se 10% për sëmundje kardiovaskulare, në krahasim me ato që i kishin patur menstruacionet e para në moshën 13 apo më shumë vjeçare. Kërkuesit kanë zbuluar edhe se gratë që hynin në menopauzë para moshës 47-vjeçare, rrezikonin 33% më shumë për të patur sëmundje kardiovaskulare në përgjithësi dhe një përqindje më të lartë, prej 42%, sa i përket iktusit.

Çdo abort spontan i mëparshëm e ka shtuar rrezikun e sëmundjeve kardiake me 6% dhe lindja e një fëmije të vdekur ka rezultuar të jetë e lidhur me një risk më të shtuar të sëmundjeve kardiovaskulare në përgjithësi (22%) dhe me iktusin, në veçanti (44%). Histerektomia ka rezultuar e lidhur me një rrezik të shtuar të sëmundjeve kardiovaskulare (12%) dhe të sëmundjeve kardiake (20%). Gratë, të cilave u ishin hequr vezoret para histerektomisë, kishin dyfish më shumë mundësi për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare.

"Një kontroll kardiovaskular më i shpeshtë duket se është i arsyetuar mes grave te të cilat cikli riprodhues ka nisur më herët dhe tek ato që kanë patur evente riprodhuese negative, ose histerektomi, pasi kjo mund të ndihmojë në vonimin ose parandalimin e shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare", përfundojnë autorët.

Heart 2018. Doi: 10.1136/heartjnl-2017-312289
http://heart.bmj.com/content/early/2018/01/02/heartjnl-2017-312289


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>