mar132018
Të lindurit me defekte kardiake, janë më të rrezikuar nga demenca
Fëmijët e lindur me defekte kardiake kanë më shumë mundësi për të mbijetuar në moshë të përparuar falë trajtimeve të hershme dhe më të mira, por mund të jenë më të prirur për të zhvilluar demencë të parakohshme, krahasuar me njerëzit e lindur pa defekte kardiake.
"Studime të mëparshme kanë treguar se njerëzit me defekte kardiake janë më të rrezikuar nga probleme të lidhura me zhvillimin neurologjik në fëmijëri, si epilepsia dhe autizmi, por ky është studimi i parë që shqyrton mundësinë e zhvillimit të demencës në moshë të rritur", thotë Carina Bagge (Spitali Universitar Arhus, Danimarkë), autore kryesore e studimit. Duke përdorur databazën dhe të dhënat kombëtare që mbulojnë të gjitha spitalet daneze, kërkuesit kanë shqyrtuar praninë e demencës te 10.632 të rritur, më së shumti kaukazë (46% meshkuj) të lindur me defekte kardiake në periudhën 1890-1982, që i kanë përballur me anëtarë të popullsisë së përgjithshme të të njëjtit lloj, të lindur në të njëjtin vit. Rezultatet e analizës kanë treguar se rreziku për demencë nga çfarëdolloj shkaku (ndër të cilat demencë vaskulare dhe sëmundje e alzheimerit) te njerëzit e lindur me defekte kardiake në Danimarkë, ishte 60% më i lartë, krahasuar me çfarë është vënë re në popullsinë e përgjithshme.
Në detaje, rreziku ishte 160% më i lartë për demencën e diagnostikuar para moshës 65-vjeçare dhe 30% më i lartë për demencën e diagnostikuar pas moshës 65-vjeçare.
"Kjo nuk do të thotë se çdokush që ka lindur me një defekt në zemër, do të zhvillojë demencë. Studimi ka nxjerrë në dritë një rrezik më të lartë, por nuk ka treguar shkak dhe pasojë. Gjithashtu, studimi ynë ka përfshirë popullsinë e moshuar, të lindur kur trajtimet për defektet në zemër ishin më të kufizuara. Trajtimi sot është përmirësuar dukshëm dhe, për pasojë, nuk mund t'i përgjithësojmë këto rezultate drejtpërdrejt te fëmijët e lindur në ditët e sotme. Kemi nevojë për studime të mëtejshme për të kuptuar rreziqet në kohët moderne", nënvizojnë autorët.
Pavarësisht kufizimeve të studimit, thellimi në këtë argument mund të na japë mundësi të bëjmë kontrolle të synuara dhe të ndërtojmë strategji menaxhimi mjekësor për të parandaluar demencën në këtë popullsi.
Circulation 2018. Doi: 10.1161/CIRCULATIONAHA.117.029686
http://circ.ahajournals.org/content/early/2018/02/07/CIRCULATIONAHA.117.029686