mar282018
Sa të besueshme janë orët Apple për monitorimin e fibrilacionit atrial?
Në një studim mbi pacientët që i janë nënshtruar kardioversionit, aplikacioni që analizon në mënyrë pasive të dhënat e lidhura me frekuencën kardiake të dërguara nga një orë e zgjuar (smartwatch) Apple, është në gjendje të zbulojë me saktësi të lartë fibrilacionin atrial. Megjithatë, rezultatet nuk kanë qenë shumë mbresëlënëse në kohortën e dytë, me 1.617 individë të kontrolluar në shtëpi, në një skenar më të ngjashëm me përdorimin e mundshëm në botën reale. Studimi ka përdorur një "rrjet të thellë nervor" për të nxjerrë algoritmin që bën zbulimin e fibrilacionit atrial, nga aplikacioni Cardiogram.
Ky lloj i inteligjencës artificiale përdor të dhëna empirike, në këtë rast të ardhura nga 9.750 pjesëmarrës të studimit Health eHeart, të cilët kishin një orë Apple dhe kanë shkarkuar aplikacionin Cardiogram që e kanë lidhur me studimin. "Në një studim kohorte me 51 pacientë që i janë nënshtruar radhazi kardioversionit për fibrilim atrial, algoritmi i aplikacionit Cardiogram ka patur një specificitet prej 90% dhe një ndjeshmëri prej 98%", thotë Gregory Marcus (Universiteti i Kalifornisë), që ka udhëhequr grupin e punës.
Në një kohorte tjetër, 1.617 pjesëmarrës në Health eHeart Study kanë përdorur orën Apple dhe aplikacionin Cardiogram, ndërsa i nënshtroheshin përditë një ECG-je. Në këto raste, aplikacioni kishte një ndjeshmëri prej 67,7% dhe një specificitet prej 67,6%.
"Pavarësisht rezultateve të shkëlqyera të testit, të vëzhguara ndër pacientët që i janë nënshtruar kardioversionit, pritshmëritë modeste në skenarin ambulator (një kontekst më përfaqësues i aplikimit përfundimtar të kësaj teknologjie), sugjerojnë që këto të dhëna duhet të interpretohen kryesisht si një dëshmi e konceptit", përfundojnë kërkuesit.
Mintu Turakhia (Qendra Universitare e Shëndetit Dixhital, Kaliforni), ka rënë dakord se të dhënat e grupeve ambulatore janë mjaft të dobëta, me një vlerë modeste parashikuese pozitive, në masën 8%. Është vëzhguar gjithashtu se përdorimi i një rrjeti të thellë nervor, e bën të vështirë të kuptuarin e plotë të mekanizmave që qëndrojnë në bazë të rezultateve dhe nuk u jep mundësi kërkuesve të mësojnë menjëherë nga ajo që shohin dhe të zbulojnë lidhjet e drejtpërdrejta që mund të ekzistojnë.
JAMA Cardiol. 2018. doi: 10.1001/jamacardio.2018.0136
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29562087
JAMA Cardiol. 2018. doi: 10.1001/jamacardio.2018.0207
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29562077