sht102018
Hipertensioni, fibrilacioni atrial, sinkopa. Përditësohen udhëzimet ESC 2018
Gjatë edicionit 2018 të takimit të ESC-së (Shoqata Europiane e Kardiologjisë), zhvilluar në Mynih, u paraqit përditësimi i disa udhëzimeve praktike ESC/ESH (Shoqata Europiane e Hipertensionit) klinike që lidhen me menaxhimin e hipertensionit arterial. Kështu, janë ofruar rekomandime specifike në lidhje me diagnozën, reduktimin e rrezikut dhe trajtimin e pacientëve në këtë gjendje.
Guy De Backer, i Universitetit të Gentit (Belgjikë), bashkëkoordinator i dokumentit, thekson dy koncepte kryesore. "Hipertensioni është një gjendje kronike e heshtur dhe për këtë arsye, ka probleme në njohjen dhe shqyrtimin e saj. Madje, edhe pas përcaktimit të diagnozës, kontrolli i tensionit të gjakut është shumë i dobët". Duhet nënvizuar se, duke i mbajtur të pandryshuara kategoritë e presionit në udhëzimet e mëparshme ESC/ESH, tani ka shumë dëshmi se matja është më e saktë kur kryhet në shtëpi, në mënyrë që të shmanget efekti "bluza të bardha". Anthony Haegerty, nga Universiteti i Mançesterit, thekson se sot "është e mundur t'u ofrohet më shumë mbrojtje pacientëve, sepse objektivi i kontrollit të presionit të gjakut është zvogëluar", duke u përcaktuar si i pranueshëm në 130/80 mmHg, në shumicën e rasteve. Strategjia e trajtimit të linjës së parë, në krahasim me të kaluarën, tashmë është konsoliduar: pakësimi i numrit të tabletave për të përmirësuar pajtueshmërinë e pacientit dhe synimi i kombinimeve me doza fikse. Së fundmi, theksi vihet në nevojën për të vlerësuar rrezikun kardiovaskular të përgjithshëm të pacientit dhe jo vetëm vlerat e presionit të gjakut.
Është përditësuar gjithashtu udhëzimi klinik për diagnozën dhe menaxhimin e sinkopës, që ka si objektiv dallimin mes rasteve beninje apo të rrezikshme për jetën dhe përshkrimit të opsioneve terapeutike në dispozicion. Dokumenti është redaktuar me EHRA-n (Shoqata Europiane e Ritmit të Zemrës) dhe shumë ekspertë, jo vetëm kardiologë.
Ndryshimet kryesore, shpjegon Javier Moreno, Madrid, bashkëredaktor i dokumentit, konsistojnë në mënyrë shumë sistematike në menaxhimin e pacientit pas humbjes së ndërgjegjes, si në momentin e vlerësimit të përgjithshëm në departamentin e emergjencës, ashtu edhe në thellimet e mëtejshme në spital apo në ambulancë.
"Udhëzimet vendosin në mënyrë shumë të qartë se kur pacienti duhet të shtrohet në spital, bazuar në praninë ose mungesën e karakteristikave me rrezik të lartë, të përcaktuara mirë. Testet dhe terapitë u riklasifikuan sipas klasave dhe, rrjedhimisht, u rishikuan algoritmet dhe tabelat e rrjedhës. Duhet të theksohen disa të dhëna të reja: theksi mbi refleksin e sinkopit dhe mbi hipotensionin ortostatik, analiza e shkaqeve jo kardiovaskulare të humbjes së përkohshme të ndërgjegjes dhe përdorimi i videomonitorimit në shtëpi për përcaktimin etiologjik të episodeve të paqarta të sinkopës.
Udhëzuesi praktik EHRA 2018 për parandalimin e iktusit te pacientët me fibrilacion atrial (AF) është shumë i rëndësishëm. Në përputhje me dokumentin e vitit 2016, ai përsërit se trajtimi duhet të bëhet mundësisht me NOAC, krahasuar me vvarfarin, përveçse te pacientët me valvul mekanike të zemrës ose stenozë valvulare mitrale.
Karakteristika e këtij përditësimi qëndron në faktin që përmban kapituj shtesë që u dedikohen individëve të caktuar si për shembull shumë obezë, atletë, subjekte të dobëta ose me dëmtime njohëse. Kujdes i është kushtuar më tej antidotit idaracizumab edhe në aspektet e ndërveprimeve farmakologjike.
Duhen sinjalizuar së fundi dy dokumente të tjera teknike: në kuadrin e rinovimit 2019 të udhëzimeve për menaxhimin e "sëmundjes së qëndrueshme të arteries koronare", është vendosur (në bazë të provave klinike dhe fiziopatologjike) të ndryshohet ky term me "sindromë kronike koronare".