Kardiologji

maj312018

Defektet e lindura kardiake të fëmijëve, paralajmërojnë rreziqe të ardhshme te nëna

Një studim i publikuar në "Circulation", në të cilin janë studiuar mbi një milion gra, tregon për herë të parë se defektet e lindura të zemrës te të porsalindurit mund të jenë treguese për një rrezik në rritje të problemeve të zemrës te nëna, vite të tëra pas shtatzënisë. Hulumtuesit analizuan të dhënat e marra nga gratë që lindën në periudhën 1989-2013 në Kebek, Kanada, fëmijët e të cilave kishin defekte kritike, jo kritike ose asnjë problem të zemrës. Ndjekja u bë deri në 25 vjet pas shtatzënisë, për të zbuluar hospitalizimet lidhur me sëmundjet kardiovaskulare, përfshi infarktin, pamjaftueshmërinë kardiake, çrregullimet aterosklerotike dhe transplantet e zemrës. Rezultatet e analizës treguan se, krahasuar me nënat e fëmijëve pa defekte të lindura të zemrës, ekzistonte një rrezik më i madh hospitalizimi prej 43% te gratë, pasardhësit e të cilave kishin defekte të rënda të zemrës dhe prej 24% te gratë, fëmijët e të cilave nuk kishin defekte kritike.

Kërkuesit nënvizojnë se nuk është e qartë në çfarë mënyre problemet kardiake te fëmijët, mund të lidhen me sëmundjet kardiovaskulare pas shtatzënisë te nënat e tyre dhe se nuk përjashtohet as një përbërës gjenetik.
Gjithashtu, kërkuesit nënvizojnë se, duke qenë se 85% e fëmijëve me defekte kardiake mbijetojnë në adoleshencë, ndikimet psiko-sociale të kardiopative të lindura mbi personat që merren me ta, mund të ketë një efekt akumulues në terma afatgjatë.

"Kurimi i fëmijëve me defekte kardiake kritike është i lidhur me stresin psiko-social dhe financiar, që mund të shtojë rrezikun afatgjatë për sëmundje të nënës", thotë Nathalie Auger (Qendra e Kërkimeve në Universitetin e Montrealit), autore kryesore e studimit.

Kërkuesit besojnë se studimi u ofron nënave që gjenden në këtë situatë, mundësi për të përfituar nga strategjitë e parandalimit të hershëm dhe të konsultimit për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Një kufizim i kërkimit është se, duke qenë se në fillim të studimit, shumë gra ishin të reja, ndjekja 25-vjeçare nuk është shtyrë gjatë menopauzës, periudhë e rrezikut më të lartë për sëmundjet kardiovaskulare. Gjithashtu, duke qenë se janë përdorur të dhëna mjekësore të mbledhura që më parë, autorët nuk kanë patur qasje ndaj informacioneve të detajuara mbi faktorët e rrezikut, të tilla si pesha trupore dhe zakoni i duhanpirjes, çështje të rëndësishme që duhen marrë në konsideratë në studimet e ardhshme.

 

Circulation 2018. Doi: 10.1161/CIRCULATIONAHA.117.030277
http://circ.ahajournals.org/content/early/2018/03/08/CIRCULATIONAHA.117.030277


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>