nën262018
Iktus. Diagnostikimi dhe trajtimi i apnesë së gjumit përmirëson rezultatet neurologjike dhe fizike
Sipas një studimi të publikuar në "Journal of the American Heart Association", fillimi i trajtimit për apnenë e gjumit sa më shpejt të jetë e mundur, pas një iktusi apo një mini iktusi, mund të përmirësojë ndjeshëm dëmtimin e të folurit dhe simptoma të tjera neurologjike, përveçse ecjen dhe të tjera funksione fizike.
"Ne kemi treguar, për herë të parë në një studim të kontrolluar, me përzgjedhje rastësore, se për ata që kanë pësuar një iktus ose një atak ishemik kalimtar (TIA), i njohur gjithashtu me emrin mini iktus, diagnostikimi dhe trajtimi i apnesë së gjumit me terapi me presion pozitiv të vazhdueshëm të rrugëve të frymëmarrjes (CPAP) siguron përfitime të konsiderueshme, madje edhe më të mëdha se përfitimet nga aktivizuesi i plasminogjenit të indeve (tPA), trajtimi farmakologjik i aprovuar nga FDA-ja për rastet e iktusit.
Ky është një efekt klinik i rëndësishëm: lajmi i mirë për pacientët me infarkt është se CPAP-ja është përdorur si terapi për apnenë e gjumit për shumë vite dhe ka një historik të shkëlqyer sigurie", shpjegon Dawn Bravata (Instituti Regenstrief, SHBA), autori kryesor i studimit.
Pacientët e regjistruar në eksperiment vinin nga pesë spitale në dy shtete të ndryshme, kishin pësuar iktus apo TIA dhe janë ndjekur deri në një vit pas ngjarjes. Për vlerësimin, pacientët u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të qenë pjesë e një grupi kontrolli të menaxhuar me trajtimin e zakonshëm të apnesë së gjumit, ose pjesë e një apo dy grupeve të ndërhyrjes, me trajtim standard ose të avancuar, që përfshinin si diagnostikimin, ashtu edhe trajtimin e apnesë së gjumit.
Rezultatet e analizës treguan se dy të tretat e 252 pjesëmarrësve në studim, 41% e të cilëve ishin femra dhe 36% me ngjyrë, patën përfitim nga përdorimi i CPAP-së. Të dhënat paraprake sugjerojnë se sa më shpejt të trajtohet apnea e gjumit me CPAP te pacientët me iktus, aq më i fuqishëm efekti i atij trajtimi.
"Zakonisht, diagnostikimi i apnesë së gjumit është një shërbim ambulator, por ne duhet të vëmë në dispozicion teste të gjumit për pacientët e prekur nga iktusi dhe TIA në spital, si pjesë e vlerësimit fillestar të këtyre gjendjeve patologjike", përfundon Bravata.
J Am Heart Association 2018. Doi: 10.1161/JAHA.118.008841
https://www.ahajournals.org/doi/10.1161/JAHA.118.008841