Kardiologji

jan222019

Endokarditi. Kalimi në terapinë antibiotike orale mund të bëhet më shpejt

Sipas rezultateve të një studimi me përzgjedhje rastësore, të kontrolluar, të kryer në Danimarkë dhe të publikuar në "New England Journal of Medicine", në trajtimin e endokarditit, kalimi tek antibiotikët oralë pas të paktën 10 ditësh trajtimi në rrugë intravenoze, nuk është inferior ndaj trajtimit të vazhdueshëm me antibiotikë në rrugë intravenoze.

"Udhëzimet aktuale amerikane dhe evropiane mbi menaxhimin e endokarditit mbështesin një terapi antibiotike intravenoze për një periudhë që zgjat nga katër, deri në gjashtë javë. Një kalim në trajtimin oral, që është praktika e zakonshme në sëmundjet e tjera infektive, nuk është konsideruar deri më tani opsion i zbatueshëm", shpjegon Kasper Iversen (Spitali Universitar "Herlev-Gentofte", Kopenhagen), autor kryesor i punimit.

Pjesëmarrësit në studim ishin 400 pacientë me endokardit në pjesën e majtë të zemrës të konfirmuar me kritere të Duke-s dhe të shkaktuar nga streptokokët, Enterococcus faecalis, Staphylococcus aureus ose stafilokokët koagulazë-negativë. Pacientët që i ishin përgjigjur mirë për të paktën 10 ditë terapisë antibiotike intravenoze, ishin në gjendje të qëndrueshme dhe mund të merrnin barna në rrugë orale. Ata janë randomizuar për të marrë një trajtim intravenoz të vazhdueshëm ose dy antibiotikë oralë aktivë me biodisponibilitet të mirë (kombinime të ndryshme të moksifloksacinës, amoksicilinës, klindamicinës, rifampicinës, dikloksacilinës, acidit fuzidik dhe linezolidit). Mosha mesatare e individëve ishte 67 vjeç, 77% ishin meshkuj, 27% kishin një valvulë protetike të infektuar dhe 38% kishin pësuar një ndërhyrje kirurgjikale te valvula. Koha mesatare e diagnozës ishte 17 ditë.

Pas randomizimit, grupi i trajtuar në rrugë intravenoze ka marrë 19 ditë shtesë trajtim spitalor, ndërsa grupi i trajtuar në rrugë orale, është tërhequr pas mesatarisht 3 ditësh dhe ka marrë 17 ditë trajtim shtesë. Ashtu siç shpjegojnë autorët, gjatë ndjekjes për 6 muaj, rezultati përfundimtar që kishte të bënte me vdekshmërinë për të gjitha shkaqet, kardiokirurgjinë e paprogramuar, ngjarjet embolike klinikisht të dukshme ose përsëritjen e bakteremive me agjentin patogjen primar, është verifikuar te 12% e individëve në grupin e trajtuar në rrugë intravenoze dhe te 9% e grupit me trajtim oral, duke indikuar mungesën e inferioritetit të këtij të fundit.


NEJM 2018. Doi: 10.1056/NEJMoa1808312
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30152252


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>